Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku ka arritur në Aeroportin e Prishtinës, prej ku do të udhëtojë për në Hagë. Lushtaku ka thënë se nuk e di se për cfarë do të intervistohet nga Prokuroria Speciale.
Lushtaku i tha mediave se do t’i kishte mbetur hatri në qoftë se nuk do të kishe ftesë nga Gjykata Speciale.
“Më kish ardh keq nëse nuk më kishin thirrë. Nuk e di se në çfarë cilësie me kanë thirrur”, ka thënë ai.
Ai tha se e kanë kontaktuar të gjithë miqtë e tij përfshirë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Për në Hagë, Sami Lushtaku do të shoqërohet edhe nga deputeti Milaim Zeka. Ky i fundit tha se beson në luftën e pastër të UÇK-së.
“Unë me vet dëshirë po e shoqëroj gjeneralin Sami Lushtakun. Unë besoj në luftën r pastër të UÇK-së”, tha ai.
Ndërsa, Lushtaku për media ka njoftuar se me 16 janar do të intervistohet.
“Nuk e di në çfarë cilësie do të intervistohem. Pres të dijë kur të shkojë me të 16-in. Të gjithë shokët e mi më kanë telefonuar dhe më kanë kontaktuar”, ka thënë Lushtaku para gazetarëve
Në aeroport pritet të arrijë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.
Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës.
Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Telegrafi/