Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka thënë se për të familja është qeliza e shoqërisë dhe se duke u bazuar në këtë ka votuar kundër miratimit të Projektkodit Civil.
Ai ka thënë se kjo nuk është çështja e vetme për të cilën ai do të jetë i zëshëm.
“Unë besoj në familje, ajo është vlera e shqiptarëve dhe nuk ka asgjë të keqe që të besohet në të. Secili beson në idetë e tij. Nuk kam qenë i zëshëm vetëm për Projektkodin Civil, por edhe për çështje të tjera, qofshin ato ekonomike… Qeveria Kurti ka dashur të sjellë ndryshim të vlerave tona”, është shprehur Lushtaku për Klan Kosova.
“Kushdo që është kundër familjes së shëndosh është kundër vetes. Unë përfaqësoj ata qytetarë që na kanë mbështetë. Nuk marr përgjegjësinë që të votoj kundër familjes dhe jam krenar për atë qëndrim”, tha ai.
Lushtaku ka theksuar se një propozim i tij ka qenë që çështja për Projektkodin Civil të zgjidhet përmes një referendumi, derisa mbajtja e tij nuk lejohet me Kushtetutën e Kosovës.