Site icon Telegrafi

Lushtaku ka një porosi për ekipet kundërshtare

Paraqitja fantastike e Kreshnik Lushtakut në fitoren e Prishtinës prej 3:1 ndaj Llapit i ka impresionuar tifozët e mbledhur të mërkurën në stadiumin e kryeqytetit. Ai ishte kreatori kryesor i fitores së madhe të skuadrës së tij.

Lushtaku ishte i pandalshëm. Shihej në çdo cep të terrenit, kurse lodhja nuk vërehej në asnjë momente tek ai, duke marrë disa herë duartrokitje nga publiku. Me një fjalë, Lushtaku ishte i pandalshëm për llapjanët, kurse loja e tij doli të jetë spektakolare për publikun.

Lushtaku iu bashkua Prishtinës gjatë afatit kalimtar të dimrit. Më herët ishte pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, Trepçës ’89 dhe Drenicës. Ai po ashtu është pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës. “Pas një gjashtëmujori të vështirë që kisha në Shqipëri, kam arritur të kthehem në formë të mirë te Prishtina, falë pritjes së mirë që ma ka bërë klubi së bashku me lojtarë. Deri më tani jam shumë i kënaqur dhe shpresoj të vazhdoj edhe më tutje me këtë formë edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Lushtaku për “Zërin”.

Ai pohon se po ndihet në formë të mirë dhe thekson se e ka gjetur veten në Prishtinë. “Do të jap maksimumin tim edhe në ndeshjet tjera për Prishtinën, për këtë fanellë, dhe shpresoj të marrim rezultate pozitive”, potencoi ai.

Për më tepër, Lushtaku shpreson që të fitojë trofe në sezonin e tij të parë te klubi më i madh kosovar. “Synimet me Prishtinën, këtë edicion janë që të jemi sa më lart në kreun e renditjes tabelore dhe ta fitojmë Kupën e Kosovës”, u shpreh ai.

Prishtina tashmë ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa po lufton për t’i ikur barazhit, pasi deri më tani ka përjetuar krizë të madhe të rezultateve. Por, ekipi bardh e kaltër, me Fadil Berishën trajner, ka arritur t’i fitojë tri ndeshjet e fundit kampionale.

Exit mobile version