Nga: Daut Dauti
Francezët nuk kanë James Bond (007), Sherlock Holmes e as Robin Hood, por e kanë Lupinin. Që nga viti 1905, kur shkrimtari francez Maurice Leblanc e shkroi librin “Lupin” dhe e krijoi personazhin me këtë emër, vazhdojnë të mahniten dashamirët e letërsisë nëpër botë.
Në këtë libër, personazhi Arsène Lupin është ‘xhentëlmen’ dhe hajn apo zotni hajn, siç themi ne.
“Lupini” është përkthyer në shumë gjuhë dhe është inskenuar në teatër, janë bërë shumë filma, përfshirë seri të animuara.
Seriali më i ri francez që në Netflix ka filluar para disa ditëve, ka mahnitur publikun anglo-sakson dhe më gjerë. Momentalisht, në Britani të Madhe është seriali më i shikuar dhe tejet i çmuar nga publiku e kritikët. Seriali nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë më Lupinin si personazh dhe si roman. Lupini paraqitet si frymëzim i kryepersonazhit Assane Diop, rolin e të cilit e luan Omar Sy. Assane, si fëmijë nga babai merr për dhuratë librin “Lupin”. Mënyra se si skenaristët (George Kay dhe François Uzan) dhe regjisorët (Marcela Said, Ludovic Bernard dhe Louis Leterrier) e kanë lidhur ngjarjen e këtyre serive me romanin, është mbresëlënëse.
Në këto seri, Assane Diop është zotni hajn. Është edukuar në shkollën më të mirë private në Francë. Pra, është inteligjent, fizikisht i ndërtuar mirë dhe i pashëm. Assane është djalë i një imigranti nga Senegali, çfarë në të vërtetë është edhe në realitet me aktorin Omar Sy. Babai i tij është shofer i prijësit të familjes së pasur parisianë, Pellegrini. Pellegrini është njeri i poshtër. Ai e vjedh qaforen e vet që dikur ka qenë e Maria Antonetës por e fajëson shoferin dhe kompensohet nga sigurimi. Kjo është punë e lehtë, mqë shoferi është emigrant afrikan dhe apriori është fajtor. Pa asnjë faj, shoferi dënohet dhe në burg bënë vetëvrasje.
Tashti, i biri i tij Assane, nis hakmarrjen kundër të gjithëve që kanë qenë të implikuar në dënimin e babait të tij, e veçanërisht kundër kryefamiljarit Pellegrini që është i implikuar në krime edhe kundër shtetit (Francës). Në këtë hakmarrje, Assane përdorë aftësitë e tija nga eksperienca e hajnit, ato të kibernetkës, lidhjes së tij me njerëz të llojllojshëm etj. I përdorë skemat dhe kodet nga libri “Lupin”. Por, të gjitha këto veprime janë edhe në funksion të luftimit të krimit.
Filmi është i realizuar mirë në të gjitha aspektet. Asnjë sekondë e filmit nuk është harxhuar pa ngjarje ngjethëse. Gjithçka lidhet me të kaluarën dhe me skenat e ardhshme. Aktorët, siç janë Shirine Boutella, Soufiane Guerrab, Clotilde Hesme, janë të shkëlqyeshëm, Natyrisht, Omar Sy, elegant dhe karizmatik, është dominant. Sy është i njohur edhe jashtë Francës, por me këtë seri dëshmon se bën pjesë në elitën e aktorëve botëror.
Këto seri kanë edhe një efekt tjetër pozitiv, psepse vërtetohet se francezët nuk kanë mbetur mbrapa nga britanikët dhe amerikanët në bërjen e serive. Kjo gjë nuk e forcon vetëm Francën në kinematografi. Kryepersonazhi Assane është francez, por i racës së zezë dhe mysliman. Në fakt, religjioni këtu nuk potencohet dhe kjo është punë e mençur. Episodet “Lupin” me efikasitet do të qëndrojnë në luftën kundër dukurive raciste dhe anti-emigracionit që janë prezent në Francë dhe kudo në botë. Ky me siguri është edhe njëri nga qëllimet e autorëve të serialit. /Telegrafi/