Site icon Telegrafi

Lunacek, PDK-së: Respektojeni lirinë e medias

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka reaguar kundër komenteve fyese dhe denigruese që zyrtarë të PDK-së kanë bërë ndaj RTV Dukagjinit në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Drenas.

Në reagimin e saj, eurodeputetja ka thënë se dënon çdo lloj ndërhyrje në lirinë e medias.

“Dënoj secilin akt kufizues ndaj lirisë së medias në Kosovë dhe çdo shpifje që ka për qëllim frikësimin e gazetarëve, siç ishte rasti të cilin e raportoi Asociacioni i Gazetarëve, ku u tregua se zyrtarët e PDK-së në Drenas kanë bërë komente fyese dhe ofenduese ndaj gazetarëve të RTV Dukagjinit”, ka shkruar Lunacek në rrjetet sociale.

Reagimi i eurodeputetes pason atë të AGK-së ku u njoftua se në ditën e zgjedhjeve në Drenas, zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së kishte ofenduar në një konferencë për media stafin e RTV Dukagjinit duke i bërë ata fajtor për prishjen e zgjedhjeve në Drenas. /Telegrafi/

Exit mobile version