Telegrafi

Lumturia nuk zgjat jetën e njeriut

Në këtë studim kanë marrë pjesë 715 mijë gra britanike mes moshës 50 dhe 69 vjeçare, që ishin pjesë e një programi për kancer të gjirit në fund të 90-ave.

Gratë ishin pyetur se sa shpesh janë ndjerë të lumtura dhe sa të shëndetshme ishin. Afër 40 për qind e tyre kanë thënë se janë të lumtura shumicën e kohës, ndërsa 17 për qind kanë thënë se nuk janë të lumtura. Pas një dekade të monitorimit të këtyre grave, 4 për qind e tyre kanë vdekur.

Shkencëtarët kanë gjetur se shkalla e vdekjes te gratë që kishin deklaruar se nuk ishin të lumtura ishte e njëjtë me ato që kishin thënë se janë të lumtura.

Hulumtimi u publikua në revistën mjekësore “Lancet”, transmeton koha.net.

“Është besuar se stresi dhe jo lumturia kanë shkaktuar vdekjen dhe sëmundjet, por duket se është e kundërta”, ka thënë Richard Peto, nga Universiteti i Oksfordit, që ishte një nga autorët e studimit. “Njerëzit duhet të fokusohen në çështjet e vërteta që shkurtojnë jetëgjatësinë, si pirja e duhanit dhe obesiteti”.

Një tjetër studim, i bërë nga shkencëtarët francezë, ka sugjeruar që rezultati mund të jetë më i ndryshëm te burrat, pasi “lumturinë gjinitë e definojnë ndryshe”.

Por, edhe pse nuk ndikon në jetëgjatësi, Peto thotë se lumturia është gjë shumë e mirë për njeriun. /Telegrafi/