Site icon Telegrafi

Lumi i Vjosës në hartën e sportit të raftingut në Shqipëri

Tashmë në lumin Vjosë mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Tepelenën në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj përveç ngjitjeve në mal, për të shijuar ujëvarat, kanionet, monumentet e natyrës, kalatë, objektet e kultit, ushqimin cilësor, mund të bëjnë edhe rafting.

Vjosa është një nga lumenjtë më të bukur, jo vetëm në Shqipëri, sa i përket pastërtisë, peizazhit përreth dhe gjallesave.

“Eksplorer Tepelena” është agjencia e parë turistike e sporteve ujore, që bëri të mundur prezantimin e saj në Javën e Ali Pashës.

“Një udhëtim mbi Vjosë, mund të jetë një eksperiencat më të bukura që keni provuar dhe kjo duhet patjetër në axhendën tuaj, kur vizitoni Tepelenën”, bën të ditur bashkia e Tepelenës.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.

Tepelena që lehtësisht identifikohet me emrin e Ali Pashës dhe dhjetëra veprave të shkëlqyera inxhinierike që u ndërtuan nën dominimin e tij ofron këtë vit disa bujtina, kanionet e Nivicës, mundësinë për aktivitete të aventurës, kala, rrënoja antike dhe eksplorimin e një hapësire të gjerë me tradita blegtorale. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version