Lumi Vjosa në jug të Shqipërisë është shpallur sot Park Kombëtar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në komunikimin me gazetarët për vendimet e qeverisë ditën e sotme.
“Kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë me e lartë nga ajo që kishte një vit më parë thjesht Park Natyror,” u shpreh Kumbaro.
“Bashkë me 3 degë të tjera të Lumit Vjosë, më konkretisht lumi Drino, lumi Bënç dhe Shushica bëjnë atë që quhet sot Parku i parë në Evropë i një lumi të egër. Një punë shumë e gjatë që kurorëzohet sot me këtë akt ligjor”, tha ministrja.
Ministrja bëri po ashtu të ditur se sipërfaqja e mbrojtur është shtrirë tashmë në mbi 12,727 ha, e gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore.
Për shumë vite me radhë shoqata të ndryshme mjedisore, jo vetëm vendase, kanë ngritur zërin për mbrojtjen e Vjosës. Përgjatë rrjedhës së lumit ishte parashikuar ndërtimi i disa dhjetra hidrocentrale, të cilat nuk do mund të realizohen me përfshirjen e Vjosës në kategorinë e një Parku kombëtar. /Telegrafi/