Lumi Vardar edhe këtë herë ka shkaktuar përmbytje në një pjesë të Pollogut, respektivisht përreth fshatit Kopanicë, ku disa herë ka dalë nga shtrati, gjatë rreshejve të shiut të ditëve të fundit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Nga këto vërshime, janë dëmtuar rreth 500 akër tokë bujqësore, ndërkaq banorët thonë se përmbytjet mund të ndalen nëse merren masa për rregullimin e shtratit të lumit Vardar. Edhe komuna e Jegunovcës bën të ditur se është duke u përgatitur një projekt për rregullimin e shtratit të lumit.
Ndryshe, banorët e disa fshatrave të komunës së Jegunovcës, thuajse dy dekada ballafaqohen me dëmtime të tokës së tyre bujqësore, nga vërshimet e lumit Vardar. Premtime janë bërë, por ende nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për ta rregulluar këtë çështje./Telegrafi/