Ditë më parë u raportua se lumi Ibër në qytetin e Mitrovicës është shterur pothuajse tërësisht dhe për këtë qytetarët kishin shprehur brengën, duke thënë se nuk mbanin mend të ketë ndodhur diçka e tillë në të kaluarën.
E lidhur me këtë zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani ka bërë të ditur se pas marrjes së shqetësimit nga qytetarët ekspertët kanë dalë në terren dhe është konstatuar se incidenti është shkaktuar nga kompania që është duke ndërtuar një urë për këmbësorë, e cila ka punuar pa respektuar asnjë kriter për mbrojtjen e ujërave.
Zogiani shkruan se si rezultat Inspektorati mjedisor ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, ka shqiptuar dënime dhe ka denoncuar dëmin në polici e prokurori.
Lexoni të plotë postimin:
Pas informacionit të pranuar nga qytetarët në Mitrovicë mbi një incident mjedisor në Lumin Ibër (shif fotot) kam kërkuar nga autoriteti i ujërave (ARPL) dhe inspektorati mjedisor të ndërmarrin masat menjëherë.
Pas daljes në terren të ekspertëve nga këto departamente është konstatuar se incidenti është shkaktuar nga kompania që është duke ndërtuar një urë për këmbësorë, e cila ka punuar pa respektuar asnjë kriter për mbrojtjen e ujërave.
Si rezultat Inspektorati mjedisor ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, ka shqiptuar dënime dhe ka denoncuar dëmin në polici e prokurori!
Inspektorati komunal është i obliguar të sigurojë zbatimin e këtij vendimi!
o Punimet e zhvilluara për ndërtimin e urës për këmbësor , në rrjedhën e Lumit Ibër, nuk kanë marrë parasysh asnjë kriter të paraparë me legjislacionit e ujor dhe mjedisor për ndërtime në mjedisin ujor, në ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe ekosistemit ujor në bazë të Prurjes së Pranueshme Ekologjike, sipas udhëzimit administrativ.
o Punimet janë zhvilluar nga punëkryesi, duke mos pasur dijeni për kriteret e ndërtimit në ujë rrjedha, nga fakti që nuk ka qenë i pajisur me leje Ujore (Kushte , Pëlqim Ujor), prandaj ka mbyllur portën për të zhvilluar punimet e urës.
o Këto veprime sjellin pasoja të dëmshme, respektivisht për florën e ujit, që siç dihet nuk ka mundësi të ju mbijetoi presioneve në eksosistemin ujor, prandaj është dashur të respektohet prurja e pranueshme ekologjike që ju mundëson gjallesave ujore të gjejnë rrugën për mbijetesë duke kaluar rrugën gjatë rrjedhës së ujit me prurje të nevojshme.
o Në këto raste masat duhet të ndërmerren në përputhje me legjislacionin në fuqi, nga inspektorati komunal për ndërtim dhe mjedis si dhe inspektorati i ujërave të MMPHI-së. /Telegrafi/