Site icon Telegrafi

Lumezi u kërkon kryeprokurorëve efikasitet në punë

 

Kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në vend, ato të prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale, dhe Prokurorisë së Apelit, janë pritur në takim nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku ky i fundit kërkoi nga kryeprokurorët e gjithë prokurorive në vend që të jenë më efikas në punën e tyre, ku gjithashtu ka kërkuar nga ta që t’i trajtojnë me prioritet lëndët e shënjestruara, si dhe të bashkëpunojnë ngushtë me koordinatorin e shënjestrimit të rasteve.

Kryeprokurori Lumezi në këtë takim ka informuar kryeprokurorët lidhur me mandatin e prokurorëve misionit EULEX dhe kompetencat që do t’i kenë prokurorët vendës në rastet e krimeve më të rënda.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga Prokuroria e Shtetit, thuhet që kryeprokurori Lumezi gjatë këtij takimi ka kërkuar nga udhëheqësit e prokurorive që të kenë bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me të vetmin qëllim të unifikimit të praktikave nëpër prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit.

“Kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që të jenë sa më efikas në punën e tyre, që t’i mbikëqyrin prokurorët e prokurorive që i drejtojnë në trajtimin sa më efikas të rasteve dhe në afat sa më të shkurtër kohor hetimet të mbyllen, të pezullohen, të pushohen apo të ngritën aktakuza. Gjatë këtij takimi, gjithashtu u bisedua e dhe për Rregulloren për bashkëpunim institucional, e cila rregullore përcakton detyrimin e Prokurorit të Shtetit për njoftimin e institucioneve publike kur ndaj punonjësve të tyre ka filluar procedura penale, me përjashtim të rasteve kur mund të dëmtohet integriteti i hetimeve. Edhe për këtë çështje kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët angazhim për implementimin e kësaj rregulloreje”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, thuhet se në këtë takim u diskutua edhe për identifikimin e prokurorëve, të cilët në bazë të punës së treguar, performancës dhe guximit do të kenë vullnet të punojnë prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që siç është shprehur kryeprokurori Lumezi PSRK-ja kryeprokurorët duhet të forcohen edhe më tutje me prokurorë të tjerë, në mënyrë që të ketë efikasitet më të madh të punës së kësaj prokurorie ku trajtohen lëndët më të ndjeshme nga gjitha prokurorit ë tjera.

Në takim mes kryeprokurorëve të vendit dhe kryeprokurorit të Shtetit, është biseduar edhe për caktimin e ekspertëve, ku është pohuar se caktimi i ekspertëve duhet të kërkohet vetëm në raste të domosdoshme, pasi se siç thuhet në komunikatë, pagesat e tyre po i kushtojnë shumë buxhetit të Prokurorisë së Shtetit.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit që t’ia dorëzojnë raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Exit mobile version