Telegrafi

Kryeprokurori Lumezi: Aktakuza për veteranët nuk do të dështojë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se 13 persona janë akuzuar për rastin e veteranëve të UÇK-së.

Ai theksoi se rasti është humbur në shkallën e parë, por nuk do e humbin pasi është aktakuzë e mbështetur në prova.

“Për rastin e veteranëve kemi akuzuar 13 persona, ky rast sot është në Gjykatën e Apelit, e kemi humbur rastin në shkallën e parë dhe po presim vendimin e Apelit. Aktakuza është e mbështetur në prova dhe nuk do humbet”, ka thënë Lumezi.

Sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë do përdorin mjete të jashtëzakonshme juridike për të parë nëse ka pasur shkelje të ligjit.

“Nëse e humbim edhe në shkallën e dytë e kemi mundësinë t’i përdorim mjetet e jashtëzakonshme juridike, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të shohim nëse ka pasur shkelje ligji në shkallën e parë dhe të dytë”, shtoi Lumezi.

Lumezi, ka folur edhe për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Ai potencoi se janë tejkaluar disa dispozita të rregullores për transparencë më të lartë të procesit.

“Procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregulloren për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Ne i kemi tejkaluar disa dispozita të rregullores për emërim me qëllim që të kemi një transparencë më të lartë sa i përket këtij procesi”, ka thënë Lumezi në emisionin “Kallxo Përnime”.

“RTK e ka transmetuar drejtpërdrejt intervistën e secilit kandidat, koncept dokumentet kanë qenë publike edhe për qytetarët”, shtoi ai.

Lumezi tha se për rastin e britanikëve ka pasur neglizhencë pasi nuk e kanë kuptuar kërkesën e tyre.

“E vërtetë që kemi treguar neglizhencë në rastin e britanikëve sepse nuk e kemi kuptuar kërkesën e Ambasadës britanike me të cilët bashkëpunojmë shumë”, shtoi Lumezi.

Sipas tij, vendimi që britanikët të mos marrin pjesë në vlerësim u bë në një takim jozyrtar, por kanë lejuar që të monitorojë procesin.

“Nuk kemi pasur mbledhje formale por në një takim kemi marrë vendim që britanikët të mos marrin pjesë aktive në vlerësim por të monitorojnë patjetër procesin”, ka thënë Lumezi.

Ai shtoi se e njëjta metodë aplikohet edhe nëpër zgjedhje të bordeve e pozita tjera.

“Të njëjtën metodë britanikët e bëjnë edhe me Qeverinë e Kuvendin e Kosovës, por aty përzgjidhen persona në borde e pozita tjera, ku ka implikme të partive politike, ne jemi një organ profesional, i pavarur”, potencoi Lumezi.