Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ia lë fajin bartjes së lëndëve te ndërkombëtarët për mos hetimin e vrasjeve që kanë tronditur Kosovën që nga viti 1999.
Në intervistën për ‘Jeta në Kosovë’, Lumezi është pyetur për hetimet rreth vrasjes së zyrtarit të lartë të LDK-së, Xhemajl Mustafa. Ai u vra në nëntor të vitit 2000 afër banesës së tij në Prishtinë, ndërkohë që askush ende nuk është kapur nga drejtësia për këtë vrasje.
“Unë personalisht e kam shqyrtuar atë dosje derisa kam qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut, por ndërkohë është kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili në atë kohë ka qenë ndërkombëtar, që ajo lëndë të transferohet te prokurorët e EULEX-it. Edhe në ditët e sotme ajo lëndë është te prokurorët e EULEX-it”, tha Lumezi
Kryeprokurori i Shtetit në këtë intervistë flet edhe për hetimet e zyrtarëve të lartë dhe dyshimet e ngritura mbi autenticitetin e provimit të tij të jurisprudencës.
Lumezi ka komentuar deklaratat e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku e cila ngriti dyshime mbi përfshirjen e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli në vrasjen e Komandant Drinit.
“Nëse ka zonja informacione lidhur me këto vrasje, ajo duhet t’i deponojë në Prokurorinë e Shtetit, në Prokurorinë kompetente, jo të dalë në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Akuzat dhe kundërakuzat politike të cilat bëhen në Kuvendin e Kosovës nuk janë bazë për fillimin e procedurës penale për prokurorë”, tha Lumezi.