Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Haxhi Dërguti dhe Laura Pula, kanë vizituar sot Prokurorinë Themelore të Gjilanit, ku është diskutuar lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Strategjisë kundër korrupsionit dhe të arriturat e kësaj prokurorie gjatë zbatimit të saj.
Po ashtu, ata diskutuan edhe për arritjet dhe sukseset e kësaj prokurorie, ku u konstatua se Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pasur rezultate të mira dhe rritje të efikasitetit në punë.
Gjithashtu, të pranishmit kanë biseduar lidhur me ndryshimet e legjislacionit penal që janë duke u bërë nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht ndryshimet në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.
Sipas një komunikate të Prokurorisë, kryeprokurori Lumezi, dhe anëtarët e komisionit në fjalë, gjatë ditëve në vijim do t’i vizitojnë të gjitha prokuroritë e Kosovës, ku do të diskutojnë me eprorët e prokurorive lidhur me zbatimin e Strategjisë kundër korrupsionit./Telegrafi/