Site icon Telegrafi

Lumezi: Kritikat ndaj nesh kishin synim dobësimin e sistemit prokurorial

Nën patronatin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, është mbajtur Konferenca vjetore e prokurorëve, me ç’rast u paraqitën rezultatet e punës së sistemit prokurorial të Kosovës.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se kritikat e justfikueshme i pranuan, e për të tjerat tha se ishin bërë me synim të dobësimit të sistemit prokurorial në Kosovë.

“Kritikat e justifikura që kanë ardhur në adresën tonë, i kemi pranuar, kurse kritikat e pajustifikuara as që jemi marrë me to. Qëllimi i tyre ka qenë dobësimi i sistemit prokuroial. Nga ju kolegë të nderuar pres që të dëshmoni që sistemi prokurorial nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi”, ka thënë Lumezi.

Lumezi tha se pavarësisht që nuk arritën t’i përmbushnin të gjitha synimet, sipas tij, sistemi prokurorial ka bërë progres disa hapa, raporton KosovaPress.

“Sistemi prokurorial është disa hapa më përpara se që ka qenë. Gjatë vitit që lamë pas kemi trajtuar mbi 75 mijë dosje, janë zgjidhur mbi 91 përqind të rasteve… Gjatë vitit 2018 kemi akuzuar 588 persona për korrupsion dhe akuza ekonomike”, tha ndër të tjerash Lumezi.

Lumezi po ashtu tha se gjatë vitit 2018 punuan në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Si rezultat i bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë, gjatë vitit 2018, asnjë shtetas i Kosovës nuk iu është bashkangjitur vatrave të luftës jashtë vendit tonë”, ka thënë Lumezi.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tha se kjo konferencë është moment reflektimi për punën një vjeçare të sistemit prokurorial. Njëherësh Hyseni premtoi se KPK do të angazhohet për të fuqizuar integritetin e për të ofruar siguri për prokurorët.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të angazhohet maksimalisht për ofrimin e sigurisë më të madhe për prokurorët e Kosovës dhe stafit mbështetës”, ka thënë Hyseni.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha se kjo konferencë duhet të shërbejë si një zotim i përbashkët për të punuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Sipas Pecit, në sistemin adimistrativ të drejtësisë në Kosovë ende ka ngecje.

“Është koha e fundit që të dëshmojmë për qytetarët tanë drejtësi të mirëfilltë e të tregohemi të paanshëm”, ka thënë Peci.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Zyrës Ligjore të OSCE-së.

Kjo konferencë është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version