Ishte data 24 nëntor kur në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi u bë vjedhja e telefonit të këtij të fundit të markës ‘Samsung’. Vjedhja në pronën e kryeprokurorit u bë në prani të prestarëve të Policisë së Kosovës.
Ndërsa kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka konfirmuar për Indeksonline, se sot është bërë arrestimi edhe i një personi të dyshuar lidhur me këtë rast.
“Po kam informatë që është arrestuar edhe një person, por nuk i di detajet shtesë lidhur me këtë arrestim”, ka thënë Lumezi.
Ndryshe sipas informatave të para theksohet se i arrestuari është L.K. Hajnat në këtë rast kishin arritur të thyenin dy dyer të shtëpisë edhe pse shtëpia ishte nën mbikëqyrjen e policisë për 24 orë.
Po ashtu kryeprokurori Lumezi është pyetur edhe në lidhje me fletë-arrestet e lëshuara për kosovarët nga shteti i Serbisë, teksa ky i fundit ka theksuar se nuk është në përgjegjësinë e tij dhe nuk komenton këto të fundit.
“Ajo nuk është kompetencë e kryeprokurorit të Shtetit, dhe nuk kam çfarë të flasë për fletë-arrestet ndërkombëtare të cilat bëhen” ka përfunduar Lumezi.