Site icon Telegrafi

Lumezi: 2015-ta viti më efikas i Prokurorisë Speciale

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka thënë se viti 2015 ishte viti më efikas i Prokurorisë Speciale për kallëzime penale.

Në një konferencë për medie të mbajtur sot, Lumezi ka thënë se vitin e kaluar Prokuroria ka pranuar 25,412 kallëzime penale, prej tyre 25,183 janë kryer nga prokurorët, raporton Koha.net.

Ai ka theksuar se Prokuroria Speciale ka pranuar 119 kallëzime penale, të cilat i ka zgjidhur së bashku me ato të trashëguara nga vitet paraprake.

“Ky ka qenë viti më efikas i Prokurorisë Speciale”, ka thënë Lumezi, i cili ka bërë të ditur se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar në punë 1189 lëndë dhe ka kryer 1210.

“Pra, më shumë lëndë sepse janë kryer lëndë edhe të viteve të kaluara. Në Prishtinë, departamenti për krime të rënda ka pranuar në punë 1110 kallëzime penale dhe i ka zgjedhur 1141. Edhe të viteve të kaluara”, ka shtuar ai.

Sfidë e Prokurorisë, sipas Lumezit, do të jetë numri i madh i lëndëve të trashëguara dhe moszbulimi i kryerësve të veprave penale. Ai ka thënë se pritet të funksionalizohet edhe Prokuroria në veri, sipas marrëveshjes për drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë.

Prokuroria Speciale ka 29 kallëzime penale të nivelit të lartë, 16 prej të cilave janë ngritur aktakuza.

“Si pjesë e veprimeve që na kërkohen nga BE-ja për procesin e liberalizimit, neve na është kërkuar që të shënjestrojmë lëndët e korrupsionit dhe ato të krimit të organizuar dhe ne e kemi bërë këtë. Kemi krijuar edhe një databazë dhe kemi marrë lëvdata nga zyrtarë të BE për këtë”, ka thënë Lumezi.

Prokuroria ka marrë masa edhe ndaj prokurorëve që nuk kryejnë punën siç duhet dhe ndaj tyre mund të propozohet edhe shkarkimi.

“Kemi marrë masa dhe nëse vërtetohet që 2 herë prokurorët nuk e kanë kryer punën siç duhet do të degradohen ata prokurorë, e pastaj mund edhe të propozohet shkarkimi i tyre”, ka thënë Lumezi.

“Unë pres që gjatë vitit të ardhshëm, prokurorët të angazhohen në luftimin e krimit dhe korrupsionit sepse kjo do të jetë sfidë e vazhdueshme”, ka thënë veç të tjerash Kryeprokurori Lumezi.

Exit mobile version