Telegrafi

Lumbardh Dellova e zëvendëson Emir Sahitin e lënduar te Përfaqësuesja e Kosovës për dy ndeshjet miqësore

Foto: ffk.com

FFK ka njoftuar se përzgjedhësi Alain Giresse e ka ftuar Lumbardh Dellovën e Ballkanit që të jetë pjesë e dy ndeshjeve miqësore të marsit ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës.

Sipas njoftimit nga shtëpia e futbollit kosovar, Dellova do të jetë zëvendësues i Emir Sahiti që pësoi lëndim në stërvitje.

“Mbrojtësi i spikatur i KF Ballkanit, Lumbardh Dellova i është bashkuar Kombëtares së Kosovës në grumbullimin për dy miqësoret e këtij muaji kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës”, thuhet fillimisht në komunikatë.

Lexo po ashtu Sot pritet të fillojë shitja e biletave për miqësoren Kosovë - Burkina Faso

“Ai është ftuar nga përzgjedhësi Alain Giresse, pasi futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti është lënduar dhe nuk do të jetë në dispozicion për këto dy miqësore”.

“Dellova aktualisht është pjesë e skuadrës lidere të Superligës së Kosovës, derisa më herët ka luajtur në Hajduk të Splitit dhe Prishtinë”, përfundon njoftimi.

Dellova është bashkuar me Ballkanin në janar, ndërsa sezonin e kaluar ishte bërë kampion me Prishtinën.

Është hera e parë që ftohet nga Kosova A, ndërsa ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të vendit. /Telegrafi/