Djali i Komandantit Legjendar Ademi Jashari, Lulzim Jashari ka qenë shumë kritik ndaj përfaqësuesve të institucioneve të vendit, të cilët tha po kërkojnë normalizim dhe pajtim me Serbinë dhe pyeti “si mund të ketë pajtim me ata që mundohen ta zhdukin Kosovën”?
Në Akademinë përkujtimore kushtuar 19 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në emër të familjes Jashari, foli Lulzimi, i cili tha se “pas një historie të dhimbshme po bëhen dy dekada nga fitimi i lirisë dhe 9 vjet nga pavarësia”.
Jashari tha se krenohen me ata që për ideal patën lirinë, por ai tha se “sot Kosova përfaqësohet nga individë që nuk udhëhiqen nga idealet e atyre që ranë”.
“Deputetët e përfaqësuesit e institucioneve kanë harruar traditën, pasi shqiptarët kanë ditur të tregohen syqelë”, tha ai, dhe porositi se e kështu duhet të tregohen edhe tani, raporton KosovaPress.
Jashari tha se qeveritarët po e lënë Kosovën pa fytyrë, sepse siç tha ai, institucionet e Kosovës po kërkojnë normalizim dhe pajtim me Serbinë.
“Si mund të ketë pajtim me ata që mundohen ta zhdukin Kosovën, me ata që nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra?”, tha Jashari.
Ai vlerësoi se “sot e keqja është shtrirë në institucionet e Kosovës, e cila duhet të ndalohet”. /Telegrafi/