Në Gjermani pothuajse askund nuk mund të shkoni pa certifikatën e COVID-19, me të cilën dëshmon se jeni shëruar nga coronavirusi apo jeni vaksinuar. Për këtë ka filluar të “lulëzoj” biznesi i falsifikimit të tyre.
Në hyrje të barnatoreve në Berlin figuron një mbishkrim i madh me paralajmërimin: “Tentimi për të vjedhur certifikatën digjitale COVID-19 me konfirmim të falsifikuar për vaksinim, do të përfundojë duke u ballafaquar me drejtësinë”, transmeton Telegrafi.
Një farmacist i një barnatoreje ka pranuar të flet për Deutsche Welle por në mënyrë anonime, ku ndër tjera pranoi se te ai punojnë vetëm femra.
Ai pretendon se punonjëset i tregojnë se çdo ditë ballafaqohen me njerëz që ua tregojnë certifikatat e rrejshme për vaksinim. Nganjëherë punonjëset heqin dorë nga raportimi te autoritetet përkatëse (policia), nga frika e agresivitetit të atyre njerëzve.
Ky farmacist beson se për gratë që punojnë në barnatore është një “barrë shtesë”. Farmacisti nga Berlini shtoi se shumë prej kolegëve të tij po ballafaqohen me të njëjtat probleme.
Certifikatat digjitale për vaksinim me kodin QR në Gjermani, kryesisht lëshohen nëpër barnatore. Për to njerëzit tani kanë shumë nevojë, pasi pa to pothuajse askund nuk mund të shkojnë.
Blerja e dhuratave për festat e fundvitit, shkarja në saunë, pirja e një gote me verë në restorant, në shumë vendet në Gjermani është e pamundur vetëm nëse jeni i vaksinuar apo jeni shëruar nga coronavirusit – për këtë nevojitet dëshmia me kodin QR.
Certifikata të tilla i lëshojnë mjekët – qendrat e vaksinimit, por nëse dikush nuk është i vaksinuar dhe tenton të sigurojë një certifikatë të rrejshme për vaksinim, ata ia mësyjnë barnatoreve. /Telegrafi/