Site icon Telegrafi

Lulëzimi nga Maqedonia dhe Gjelbërimi nga Kosova

“Një njeri nuk vlen aspak më shumë se tjetri, në qoftë se nuk punon më shumë se tjetri” (Servantesi)

S’mbahet mend që fushata parazgjedhore në Kosovë të jetë përqafuar dhe mbërthyer kaq shumë prej premtimeve ekonomike. Investimet e drejtpërdrejta, investimet portofol (investime që nuk i japin investitorit kontrollin e kompanisë, ose hua e një vendi tjetër në formën e letrave me vlerë, obligacioneve që blen investitori), stimulimi i eksportit, dogana efikase, rritja e GDP-së (Dross Domestic Product, ose PBB – Prodhimi Bruto i Brendshëm), investimi në energjetikë, ulja e papunësisë, ulja e normave të interesit për bujqësi, rregullimi i infrastrukturës rrugore, ulja e tatimit në fitim, ulja e TVSH-së, krijimi i klimës politike dhe ekonomike për investitor të jashtëm, lehtësimi i procedurave për hapjen e ndonjë firme, si dhe shumë fraza të tjera që kandidatët e partive politike dhe ekspertët për çështje ekonomike, i përdorën në këtë fushatë parazgjedhore, ku nëse do t’i kishim tubuar të gjitha fjalitë në një vend, pa dyshim se do ta krijonin një fjalor të begatshëm me shprehje të shumta ekonomike.

Pavarësisht synimeve boshe dhe vizioneve pa mision, këto premtime që janë të mbërthyer me shpresa për zhvillim të mundshëm ekonomik, në mos më shumë janë të mira dhe të preferuara për shëndetin e njeriut, për shpirtin e atyre që këta premtues po i shikojnë sikur thasë me euro, thuajse pas fitores së bindshme menjëherë ato thasë do të avullohet në objekte kapitale, mbase edhe numri dyshifror i papunësisë do të ulet në numër njëshifror, korrupsioni që e ka pushtuar çdo skutë të vendit, mëtohet të largohet bashkë me personelin e huaj civil dhe ushtarak, si dhe të krijohet përshtypja se do të lulëzojë zhvillimi i përgjithshëm ekonomik në Kosovën, që edhe Lulëzimi që jeton në Maqedoni, ëndërr të preferuar për një jetë të shëndetshme dhe i përthekuar me pasuri të ndershme, do ta ketë shtetin e Kosovës. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, sepse edhe ata premtuesit i dinë fare mirë kapacitetet e veta financiare, për ta ndërtuar kështu një parajsë ekonomike në vend, ata e dinë edhe atë se, këtë popull me bark të uritur mund ta mashtrosh si të duash, sepse uria dhe etja për gjëra bazike, ka bërë që çështja e mosbesimit përballë atyre që premtojnë të humbet prore.

Ndërmjet kësaj amullie dhe paqartësie gjendet Lulëzimi, i cili nuk jeton në Kosovë. Ai e ka vështirë të besoj se pas këtyre zgjedhjeve do të manifestohen rrezet e para të diellit që ngrohtësisht do t’i vardisen Kosovës. Porse, kur Lulëzimi i merr parasysh parametrat zhvillues në vendin e tij, që është katandisur në humnerën e vdekjes ekonomike, fillon në spontanitet të besojë se në Kosovë do të jetë më mirë, në mos shumë më mirë, nuk do të jetë aq keq sa është në vendin e tij. Çuditërisht edhe Gjelbërimi që kishte lindur dhe është rritur në Kosovë, gjendet ndërmjet kësaj amullie dhe paqartësie. Ai mendon se parajsa zhvillimore ekonomike gjendet në Maqedoni, ndaj pas çdo të dytës fjali, nuk përton dot që ta merr si shembull për të mirë shtetin e Maqedonisë, që përmes investimeve vendore dhe të jashtme, Maqedoninë e paska kapluar dhe mbuluar një gjelbërim, era dhe freskia e të cilit po i rritka pagat në arsim dhe nëpër të gjitha institucionet shtetërore, duke investuar kështu edhe në infrastrukturën rrugore dhe publike goxha si shumë, madje përqark çdo rruge paskan mbjellë pemë dhe bar, qoftë edhe nëse shpërndarja e mjeteve buxhetore qenka e përcaktuar kryekëput për ndërtimin e Shkupit 2014, pra mjafton fakti se atje ekskavatorët po punuakan.

Si t’i them kësaj dashurie për të huajën: terr informativ i medieve, apo terr informativ i syve? S’do mend, se në këtë kohë për një gjë të tillë të akuzohen mediet është mëkat, ndaj çështja e thelbit të problemit duhet shikuar në faktorin njeri, që të krijon përshtypje se mendjen e bartë vetëm për ta venduar kapelën dhe sytë sa për t’i bartur syzet! Në vorbullën e këtij problemi, më kujtohen përshtypjet e disa shqiptarëve të Shqipërisë londineze, ku pas viteve nëntëdhjeta, për neve që kishim jetuar në Jugosllavinë titiste, thoshin se ju me të vërtet jeni duke jetuar në parajsën e kësaj bote, lumit ju e vaj halli për neve atje, ndërsa prindërit tanë Shqipërinë londineze e mendonin si vend me të gjitha të mirat. Që atëherë të pllakosej një keqkuptim i tillë në popullin e këtushëm dhe të atjeshëm, ishte më se e qartë, ngase propagandat e ndryshme e kishin bërë të veten, por sot të krijohen aq shumë përshtypje të gabuara, përballë prezencës së dendur të medieve të shkruara dhe elektronike është më shumë se demagogji.

Ajo e cila më bëri t’i rrekem këtij shkrimi, ishte baltosja e Kosovës në aspekt të zhvillimit ekonomik dhe marrja shembull e Maqedonisë për zhvillim të duhur ekonomik. Sikur një konstatim i tillë të ishte bërë prej njerëzve të rëndomtë, rëndom nuk më kishte shqetësuar edhe aq shumë ky fakt, por një gjë e tillë të bëhet prej atyre që hiqen se i njohin mirë rrethanat ekonomike në vend dhe jashtë vendit, më bëri të mos ndjehem rehat, të paktën përmes disa informatave themelore (që në vendin tonë i dinë edhe të vegjlit) t’i këshillojmë, në mos më shumë, të heshtin prore kur bëhet fjalë për Maqedoninë në aspektin ekonomik, sepse tashmë në Maqedoni të shkruash dhe të flasësh për ekonomi, të tjerët do të konsiderojnë se jeni duke shkruar dhe folur për histori, ngaqë çështja ekonomike është transferuar në çështje historike, ku ekonomistët hiqen si historian, ndërsa historianët heshtin.

Maqedonia në aspektin ekonomik dhe në aspektet tjera, i ngjanë gërmadhës mbi të cilën pështynë çdo vendor i cili është çliruar që moti prej mjegullnajave partiake, mbase edhe përfaqësuesit evropian një gjë të tillë e veprojnë, por me një ndjesi më të mprehtë, ndjesi e cila iu kthehet me nënçmime publike prej qeverisë së këtij vendi, nënçmime që materializohet përmes një deputeti maqedonas, i cili të krijon përshtypjen e një monopolisti në këtë shtet.

Prej kandidatëve shqiptar të Kosovës, gjatë këtyre ditëve dëgjuam se një kompani me kapital të huaj, për shkaqe të korrupsionit të lartë dhe procedurave tjera tejet burokratike që mbizotërojnë në Kosovë, paska ikur për në Maqedoni, ndërsa po prej të njëjtit kandidat-ekspert për çështje ekonomike nuk u informuam se për cilën kompani konkretisht bëhet fjalë. Pas orvatjeve tona të shumta, nuk arritëm dot të marrim vesh se ndonjë kompani paska ikur nga Kosova për të ardhur kështu te Aleksandri i Madh. Ndërsa ne për ta informuar opinion në Kosovë dhe ata që hiqen se i njohin mirë gjërat ekonomike në botë, në vijim do të përpiqemi shkurtimisht të tregojmë se edhe këtu, përpos diskriminimit të shumanshëm që i bëhet shqiptarëve, edhe në aspektin e përgjithshëm ekonomik, shteti i Maqedonisë i ka punët shumë keq.

Sipas Entit statistikor të Maqedonisë, krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi industrial i Maqedonisë ka shënuar rënie prej 11.9 për qind. Investimet e huaja në Maqedoni janë bllokuar tërësisht, edhe më keq, nuk ka asnjë paralajmërim të mundshëm për investime të reja, mbase edhe Evropa e kishin fshirë nga agjenda e tyre shtetin e vogël të Ballkanit, Maqedoninë. Sidomos kjo fshesë ndërkombëtare filloi të funksionojë, atëherë kur pastruesit dëgjuan se iku edhe treni i fundit për në NATO në Samitin e Lisbonës. Investimet greke kanë filluar ta vërshojnë Bullgarinë, duke hequr dorë prej Maqedonisë (si rrjedhojë e kontestit të emrit). Ndërmarrja franceze Montipe, italiane Orlandi, sllovene Iskara, turke Bortek Otmotiv dhe Shishegjam, që ishin paralajmëruar në fillim të vitit 2009 për investime kapitale në këtë shtet, pa ndonjë sqarim publik këto dhe shumë investime tjera u anuluan, ndonëse gjithçka ishte në rregull këtu,- kështu pandehnin qeveritarët të cilët e luajnë rolin e misionarëve, ku caku kryesor mund të jetë shkatërrimi dhe izolimi i vendit prej çdo gjëje, gjoja për hir të kultivimit të vlerave kombëtare maqedonase.

Shpresoj se ishte një pasqyre e shkurtër dhe reale, sa për ta bindur opinionin, kandidatët dhe disa ekonomistë në Kosovë, se në Maqedoni situata ekonomike dhe politike është buzë falimentimit, mbase shpresoj që edhe Gjelbërimi do të këndellet për këtë katrahurë ekonomike, duke i krijuar kështu hapësirë dhe shkaqe të arsyeshme që të ndjehet mirë në shtetin e tij. Kjo vlen edhe për Lulëzimin, i cili është fort i dashuruar në Kosovën, ndoshta jo për diçka tjetër, por kishte dëgjuar se atje bukës bukë po i thoshin.

Exit mobile version