Bëhet fjalë për lulet e stampuara nëpër fustane e më gjerë, tendenca më e fundit e modës që na rekomandojnë stilistët botëror.
Anna Molinari për koleksionin e ri të Blumarine, ka vendosur të ketë lule kudo. Në një fustan me sfond të bardhë ajo propozon lule të stampuara ngjyrë portokalli dhe shumë fluoreshente.
Edhe linja e re, Blugirl, luan me tonalitetet e ngjyrave dhe formave të luleve. Aty gjejmë ngjyra të gjalla e të forta, aq sa të duken si reale.
Salvatore Ferragamo për koleksionin e tij të ri është frymëzuar nga ikona e modës së viteve tetëdhjetave, Jerry Hall dhe ka bërë të tijat lulet e stampuara. Xhaketa me lule, të kombinuara me pantallona të shkurtra njëngjyrëshe është ajo që na propozon.
Moschino ka zgjedhur formën e lules për të dekoruar veshjet e tij, por ai ka eksperimentuar me materiale si tyli e dantellat për t’i krijuar ato, shkruan Living. Edhe tek Roberto Cavalli gjejmë një miksim të luleve në veshje.
Ndërsa Laura Biagiotti na propozon një koleksion më romantik, duke i vendosur motivet me lule tek fustanet e gjatë, ndërsa dantellat tek fundet e ngushtë. /Telegrafi/