Telegrafi

Lul Raka sqaron edhe një herë deklaratën e tij për COVID-19 dhe antibiotikët

Mikrobiologu Lul Raka thotë se është kritikuar shumë kur tha se nuk duhet të përdorën antibiotik kundër Covid-19. Ai tha se u hodh në “turrë të druve” vetëm sepse deklarata e tij u keqkuptua.

“Fatkeqësisht ditëve të fundit ka një sulm frontal në të cilën jam shënjestër prej të gjithëve, prej punëtorëve shëndetësorë. Më kanë qit në njëfar mënyre në turrë të druve. Do gjuajnë me raketa, do me thika, do me dru me gjithçka”, tha Raka për RTK-në.

“Covid-19 shkaktohet prej virusit, antibiotikët nuk kanë kurrëfar ndikimi as në mjekimin e as parandalimin e infeksionit me Covid-19”, thotë ai.

“I vetmi indikacion kur jepen antibiotikët është nëse në të njëjtën kohë ki edhe infeksion bakterial i cili patjetër duhet me u trajtuar me antibiotik”, shpjegon Raka.

Po çka do të thotë kjo?

“Ti mundesh me pas Covid-19 e ne të njëjtën kohë mundesh me pas bashkë-infeksion me baktere. Në këto raste kur ke bashkë-infeksion t’i duhesh me u mjeku për atë infeksion me baktere, duhet me marrë antibiotik patjetër’, thotë ai.

“E dyta mundesh me kaluar Covid-19 dhe pas 1,2 apo 3 jave me tu keqësuar gjendja, me pas infeksion bakterial, mushkëritë i ke të dëmtuara, vjen bakteri dhe patjetër duhet me marrë antibiotik”, theksoi ai.