Telegrafi

Luksemburgu përkrah Kosovën me dy milionë euro lidhur me integrimin evropian

Luksemburgu në kuadër të projektit të asistencës teknike për integrimin evropian i ka ndarë Kosovës grantin me vlerë prej dy milionë euro.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se është rritur angazhimi në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit Kombëtar për MSA-në.

“Qëllimi është zbatimi efikas i MSA-së në veçanti dhe agjendës së integrimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi të gatshëm për fazat e ardhshme të integrimit. Gjithashtu, synohet edhe forcimi i komunikimit duke mbështetur zbatimin e strategjisë tonë për komunikim dhe informim të procesit të integrimit”, theksoi Hoxha, përcjell Telegrafi.

Kjo marrëveshje do të kushtojë dy milionë euro për 4 vite me 100 mijë euro bashkëfinancim nga Kosova.

Ndërsa, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Luksemburgut, Anne Dostert dhe Ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, theksuan se përkrahja e Kosovës nga ana e tyre në procesin integrues nuk do të mungojë, duke vënë në dukje rëndësinë e zbatimit të MSA-së dhe Agjendën Evropiane të Reformave. /Telegrafi/