Sulmuesi i Manchester Unitedit, belgu Romelu Lukaku, është vetëshpallur leopard, teksa e ka cilësuar veten si shënues të lindur dhe më të mirin e gjeneratës së tij.
Lukaku ka arritur ta barazoj rekordin e golashënuesve më të mirë në histori të kombëtares belge me 30 gola të shënuara në vetëm 64 paraqitje.
Belgu gjithashtu gjatë karrierës së tij ka shënuar shumë gola, ku edhe pse vetëm 24-vjeçar ai në 334 paraqitje ka shënuar plot 156 gola.
Këto statistika kanë bërë që Lukaku t’i jap lëvdata vetes duke e cilësuar veten si shënues të lindur dhe leopard të zonës së rreptësisë, teksa ka folur edhe për rekordin me Belgjikën.
“Po, është një lehtësim, por e dija se do të vinte”, ka thënë fillimisht Lukaku për Sky Sports.
“Ndihem mirë që jam i sinqertë. Unë kam lindur për të shënuar. Nuk mendoj se shumë sulmues të gjeneratës sime kanë kaq shumë gola sa unë”.
“Unë jam si një leopard në zonën e rreptësisë”, përfundoi belgu shtatlartë.
Sulmuesi belg ka folur edhe për skuadrën e tij, Man United, duke shtuar se janë në formë të mirë, por rezultatet kanë mundur të jenë edhe më të mira mos të kishte kaq shumë lëndime. /Telegrafi/