Romelu Lukaku do të paraqitet në një gjykatë të Shteteve të Bashkuara në tetor, pasi u arrestua në Los Anxhelos javën e kaluar pas ankesave të banorëve për zhurmë të tepruar.
Sulmuesi i Evertonit, i cili është në prag të bashkimit me Manchester United për 75 milionë funte, po pushon në SHBA dhe iu dha një “thirrje për kundërvajtje” pas incidentit më 2 korrik të këtij viti.
Një deklaratë e policisë së Beverly Hills tha se Lukaku u lirua në vendin e ngjarjes, ku oficerët iu përgjigjën pesë ankesave të tjera të zhurmave në të njëjtën vend.
Deklarata e plotë thotë: “Më 2 korrik 2017, rreth orës 20:00, Oficerët e Departamentit të Policisë së Beverly Hills arrestuan një mashkull 24 vjeçar me emrin Romelu Lukaku Bolingoli”.
“Bolingoli mori një thirrje për kundërvajtje nga Komuna e Beverly Hills për shkeljen e kodit 5-1-104, zhurmë e tepruar”, përcjell Telegrafi.
“Thirrja u lëshua pasi oficerët iu përgjigjën pesë ankesave të tjera të zhurmës nga i njëjti vend, gjë që rezultoi në paralajmërime verbale. Këto shkelje të zhurmave ndodhën në një vendbanim në Beverly Hills ku Bolingoli qëndroi përkohësisht. Bolingoli u lirua në vendngjarje me thirrje në gjykatë dhe nuk u arrestua fizikisht”.
“Është planifikuar që Bolingoli të paraqitet në Gjykatën e Aeroportit në Los Anxhelos më 2 tetor 2017”.
Unitedi zbuloi të shtunën në mëngjes se ata kanë rënë dakord një marrëveshje shumë milionëshe me Evertonin për të nënshkruar me sulmuesin e rrezikshëm belg.
Lukaku, i cili shënoi 25 gola në 37 ndeshje të Ligës Premier për klubin Toffees sezonin e kaluar, kishte qenë gjithashtu një objektiv i madh për Chelsean, por kampionët e ligës humbën garën me Djajtë e Kuq. /Telegrafi/