David Luiz ka thënë se do të jetë një “ëndërr e bërë realitet” fitimi i titullit të Ligës Premier me Chelsean, duke pranuar se është edhe një “obsesion”.
Chelsea ka qenë në krye të ligës për pjesën më të madhe të sezonit dhe aktualisht qëndron katër pikë larg Tottenhamit në vend të dytë, me katër ndeshje të mbetura për tu zhvilluar deri në fund.
Mbrojtësi brazilian, Luiz tashmë ka fituar Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Kupën FA me Blutë, por la skuadrën londineze dhe u bashkua me Paris Saint-Germain para fitores së tyre të titullit më 2014-15.
Megjithëse 30-vjeçari fitoi tre sezone rresht titullin në Ligue 1 përpara se të kthehej në Stamford Bridge në një lëvizje prej 34 milionë funtesh, ai thotë se mungesa e medaljes së fituesve të Ligës Premier e bën atë të palumtur.
“Unë tashmë kam fituar disa tituj me Chelsean, luajta rolin tim në një periudhë të bukur në historinë e klubit dhe bëra kaq shumë miq”, ka thënë fillimisht Luiz për FourFourTwo.
“Mendova se ishte koha për të ecur përpara, kështu që nuk kam pasur keqardhje, por gjërat ndryshojnë shpejt në futboll”, transmeton Telegrafi.
“Fitimi i Ligës Premier ka qenë gjithmonë një obsesion i imi. Ne kemi punuar shumë që kjo ëndërr të bëhet realitet”, përfundoi mbrojtësi brazilian. /Telegrafi/