Telegrafi

Luis Suarez me fjalë të përzgjedhura për Messin, pas kalimit të Argjentinës në finale të Botërorit

Luis Suarez ka lavdëruar ish-bashkëlojtarin e tij Lionel Messi pas një paraqitje mahnitëse kundër Kroacisë në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror.

Ylli 35-vjeçar i dha epërsinë Argjentinës me një penallti në pjesën e parë të së martës mbrëma, por ishte edhe më spektakolar, duke shpartalluar mbrojtësin Josko Gvardiol dhe asistoi po ashtu te goli i dytë i Julian Alvarez, i treti për Argjentinën në këtë ndeshje.

Fitorja 3-0 do të thotë se djemtë e Lionel Scaloni do të kalojnë në finalen e së dielës, ku do të përballen me Francën ose me Marokun.

Suarez kishte fjalë të përzgjedhura për Messin, pasi dyshja luajtën së bashku në Barcelonë për gjashtë vjet dhe janë shumë miq të mirë, derisa ai shkroi në Instagram: “Nuk lodhesh kurrë duke treguar se je më i miri në botë”.

“E gjithë bota ndalon së duartrokitur këtë djalë dhe atë që i ka dhënë futbollit. E pabesueshme miku im!”, ishin fjalët e tij.

Duke shënuar golin e parë kundër Kroacisë, Messi kaloi Gabriel Batistuta si golashënuesi më i mirë i Argjentinës në Kampionat Botëror.  Ai gjithashtu theu rekordin e legjendës gjermane Lothar Matthaus për më shumë ndeshje të luajtura në turne, me 25 sosh. /Telegrafi/