Telegrafi

Luis Enrique drejt largimit, Spanja ka katër opsione për ta zëvendësuar atë

Luis Enrique mund të largohet nga Spanja pas eliminimit nga Kupa e Botës.

Spanja ishte ndër skuadrat favorite për ta fituar Kupën e Botës, por u eliminuan në 1/8 e finales nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

E ardhmja e Luis Enriques ende nuk është bërë e qartë, por mediat spanjolle e shohin atë më shumë të larguar se sa që do të qëndroj në krye të ‘La Roya’.

Vet trajneri foli për të ardhmen e tij pas eliminimit nga Maroku, por duke thënë se ende nuk ka marrë një vendim.

“Nuk mund të ju them të ardhmen time, pasi nuk e di atë. Nuk është koha për të folur për të ardhmen. Unë jam shumë rehat te Kombëtarja dhe nëse do të ishte në dorën time për shkak të dashurisë që kam marrë do të qëndroja gjithë jetën”.

“Por duhet të marrë vendimin më të mirë për vetën dhe për Kombëtaren”, tha Enrique.

Megjithatë mediat spanjolle tanimë kanë filluar të raportojnë për emrat e mundshëm që do ta pasojnë Luis Enriquen në stolin e Kombëtares spanjolle.

Favoriti i madh për ta zëvendësuar Enrique është ish-trajneri i Athletic Bilbaos, Marcelino Garcia Toral, i cili ka refuzuar ofertat e ndryshme që ka marrë deri më tani.

Dy opsione të tjera që duhen marrë në konsideratë janë Roberto Martinez, trajneri që u largua nga Belgjika pas eliminimit nga Kupa e Botës si dhe Rafa Benitez.

Në listë është edhe Luis de la Fuente, i cili aktualisht është trajner te Spanja U21. /Telegrafi/