Site icon Telegrafi

Luhrmann për RMV-në: Nëse dëshironi një të ardhme prosperuese për vendin në BE, koha është tani

“Tani hapet mundësia për zgjerimin e BE-së e cila është e hapur. Kërkesa e një mundësie të tillë me vendosmëri dhe liderizëm tregon një ndjenjë të lartë përgjegjësie për të ardhmen dhe prosperitetin e popullit në Maqedoni të Veriut. Ju inkurajoj që të vazhdoni me sukses rrugën e reformave. Reformat janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ata e avancojnë sundimin e ligjit, çrrënjosin korrupsionin, promovojnë prosperitetin dhe investimet dhe përmirësojnë kushtet e jetesës në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ministrja gjermane për Evropë, Anna Luhrmann.

Ajo së bashku me Sekretarin shtetëror përgjegjës për Evropë në Këshillin e ministrave të Republikës së Francës, Lorens Bun dhe Shimon Shinkovski vel Senk, ministër i BE-së i Republikës së Polonisë i njohur si “Treshja e Vajmarit”, patën takim me zëvendëskryeministrin e RMV-së Bojan Mariçiq pas së cilës mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Luhrmann theksoi se është e rëndësishme të vazhdohet rruga tani dhe se ndryshimet kushtetuese do ta paraqesin Maqedoninë e Veriut si një shembull të një shoqërie multietnike.

“Konfirmimi dhe mbrojtja e minoriteteve është themeli i të drejtave dhe detyrimeve evropiane. Ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut do ta forcojnë përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj vlerave evropiane. Inkurajoj fuqishëm të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut që të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës dhe të mbështesin një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për Maqedoninë e Veriut dhe popullin e saj. Çdo gjë tjetër do të jetë e dëmshme për ambiciet për anëtarësim në BE”, ka thënë ministrja gjermane.

Luhrmann ka qenë decide se tani është momenti për të marrë përgjegjësi politike dhe për të vepruar dhe për të thënë “po”- për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme në BE.

“Marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së është e drejtë, nuk do të ketë marrëveshje më të mirë, kjo është e sigurt. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut qëndron në duart tuaja. Duam t’ju inkurajojmë që t’i bashkoheni familjes evropiane dhe të tregoni përkushtimin tuaj ndaj perspektivës së BE-së dhe ne do t’ju mbështesim në rrugën e BE-së sa herë që të mundemi”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për të ardhmen dhe ajo dhe kolegët e saj nga Grupi i Vajmarit inkurajojnë të gjithë njerëzit dhe aktorët politikë në vend që të mbështesin Qeverinë në marrjen e këtij, siç tha Luhrmann, “hapi vendimtar drejt BE-së duke i bërë të suksesshme amendamentet e Kushtetutës”.

Exit mobile version