Site icon Telegrafi

Lührmann në Shqipëri: Gjermania po angazhohet për nisjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE

Ministrja gjermane e Shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann deklaroi sot në Shqipëri se, Qeveria Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë të mundshme të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, Lührmann tha se, “Shqipëria dhe Ballkani perëndimor, si edhe perspektiva e anëtarësimit në BE, për mua personalisht, por edhe për qeverinë Federale janë vërtetë me rëndësi strategjike”.

“Qeveria Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë të mundshme të bisedimeve të anëtarësimit dhe kjo është në interes jo vetëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe në interesin fillestar të vetë BE-së dhe është mjaft e rëndësishme për stabilitetin në rajon”, tha Lührmann.

“Në kuadër të marrëdhënieve diplomatike që ekzistojnë tashmë prej 35 vitesh mes Republikës Federale dhe Republikës së Shqipërisë ne punojmë dhe bashkëpunojmë ngushtësisht në të mirë të njerëzve në shumë sektorë, për shembull në sektorin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, të furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza, sipas standardeve të BE-së, por edhe në sektorin e eficencës së energjisë. Bashkëpunojmë shumë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile me të cilët unë pata mundësi të takohesha sot. Sigurisht që bashkëpunojmë ngushtësisht edhe në sektorët e kulturës, së arsimit, të tregtisë dhe sigurisht edhe në kuadër të forumeve ndërkombëtare”, theksoi ajo.

“Pikërisht këtë vit, kur Shqipëria për herë të parë ulet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për këtë edhe njëherë urimet e mia të përzemërta, ne gëzohemi që do të mund të mbështetemi tek Shqipëria si një partner i besueshëm”, ka përfunduar Lührmann. /ATSH/

Exit mobile version