Telegrafi

Lugina të fitojë atë që do të fitojë veriu i Kosovës

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë për Telegrafin se mesazhi i protestës do t’i përcillet edhe korit diplomatik në Beograd, duke nënvizuar se pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta përfitojnë të njëjtin status sikurse serbët në Kosovë.

Një kërkesë tjetër do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në Beograd, e cila më 13 maj do të mbajë një seancë gjyqësore për të arrestuarit në rastin e Grupit të Gjilanit.

”Këta shqiptarë janë plotësisht të pafajshëm dhe duhet të lirohen. Pafajësia e tyre është e dëshmuar gjatë viteve sa mbahen në burgun qendror të Beogradit’, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkohë, Mustafa ka vlerësuar se uniteti që po tregohet ndërmjet liderëve politikë është garanci për përpilimin e një dokumenti në të cilin pritet që kërkohen të njëjtat privilegje që i gëzojnë serbët në Kosovë.

“Për këtë ka mjaft dokumente që i kanë sjellë deri tash shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke filluar nga referendumi i vitit 1992, platforma politike, lufta e UÇPMB-së. Është e rëndësishme që ka unitet. Takimet do të vazhdojnë dhe shqiptarët do të sjellin edhe dokumentin, i cili do të jetë të sinkronizuar me veprimet politike rajonale”, ka theksuar Mustafa.

Uniteti i liderëve shqiptarë pritet të dëshmohet më 14 maj në Preshevë dhe më 24 e 25 maj në Bujanoc, kur do të mbahen manifestime për nder të luftës së UÇPMB-së, e ku ndër të tjera do të kërkohet edhe kthimi i përmendores së rrëmbyer nga xhandarët serbë në janar të këtij viti. (A. Fazliu). /Telegrafi/