Telegrafi

Lugano: Po të ishte Messi uruguaian, do t’i kishim fituar dy Kupa të Botës

(Foto: FC Barcelona/Instagram/diegolugano)

Legjenda uruguaiane, Diego Lugano, ka thënë se po të ishte Lionel Messi bashkëkombës i tij, Uruguai do ta kishte fituar dy here Kampionatin Botëror.

Lugano, i cili ka regjistruar 95 paraqitje për kombëtaren, ndërsa ka luajtur për klube, si Paris Saint-Germain, Malaga e West Bromwich Albion në Evropë, është i sigurt se superylli i Barcelonës do ta kishte bërë ndryshimin po të ishte pjesë e kombëtares së tij.

“Nëse Messi do të ishte uruguaian në Kampionatin Botëror të vitit 2010, ne do ta kishim fituar”, ka thënë 40-vjeçari për Tea y Deportea.

(Foto: Instagram/diegolugano)

“Dhe nëse Messi do të ishte uruguaian në Brazil (në vitin 2014) dhe nëse nuk do ta përjashtonin (Luis) Suarezin, ashtu siç bënë, me atë gjeneratë që kishim, do ta kishim fituar edhe atë (Kupë të Botës)”, ka shtuar Lugano.

Uruguai zuri vendin e katërt në Afrikën e Jugut në Kampionatin Botëror të vitit 2010 duke humbur 3-2 nga Holanda në gjysmëfinale, si dhe me të njëjtin rezultat pësoi nga Gjermania për pozitën e tretë.

Në vitin 2014 në Brazil, pa Luis Suarezin në fazat e eliminimit direkt (për shkak të suspendimit si pasojë e kafshimit të Giorgio Chiellinit), uruguaianët u eliminuan nga Kolumbia (2-0) në 1/8 e finales. /Telegrafi/