Si gjithnjë, palestra Karagaçi ishte mbushur përplot me adhurues të basketbollit, e veçanërisht nga tifozët e flaktë “Shqiponjat”, të cilët gjithmonë përkujdesen që atmosfera të jetë impozante.
Mysafirët nga Bullgaria u shfaqën të patrembur që në fillim të takimit dhe me një lojë agresive filluan ta diktojnë tempon e lojës. Teksa, me aksione të shpejta e gjuajtje precize të Angelov dhe Micic arritën ta përfundojnë çerekun e parë në epërsi, 19-23.
Edhe çereku i dytë vazhdoi me një ritëm të lartë dhe lojë të shpejtë nga të dyja palët, mirëpo pejanët shpeshherë gabonin në fazën e sulmit sepse mbeteshin pa zgjidhje nga mbrojtja e fortë e kundërshtarit, teksa nganjëherë dalloheshin Frederick House dhe Mirza Ahmetbasic. Sidoqoftë, pejanët e humbën përqendrimin dhe u goditën rëndë nga kundërsulmet e shpejta të bullgarëve, të cilët e ngritën epërsinë në 9 pikë, 33-42.
Në çerekun e tretë fjala i takoi publikut pejan të cilët u ngritën të gjithë në këmbë duke brohoritur si asnjëherë më parë për t’i motivuar djemtë tanë, dhe kjo ndikoi vërtetë në ta, pasi që menjëherë e ngushtuan disavantazhin deri në gjashtë pikë. Në vazhdim, palestra “Karagaçi” u ndez e tëra për t’iu dhënë edhe një shtytje të fundit pejanëve, të cilët nën udhëheqjen e Samir Shaptahoviqit dhe George Oduwufas e barazuan rezultatin në 59-59, për të lënë gjithçka të hapur dhe për t’u vendosur në çerekun e fundit.
Në çerekun e katërt u zhvillua një dramë e vërtetë e basketbollit. Fillimisht bullgarët shënuan tre trepikësha për t’u shkëputur paksa në rezultat, teksa pejanët nuk u treguan deciziv në aksionet e tyre, pasi që vetëm një minutë pa përfunduar takimi po të shënonte Morovic nga distanca loja do të barazohej. Mirëpo, fati nuk ishte në anën e tyre dhe kështu e humbën edhe ndeshjen e dytë radhazi në Ligën Ballkanike, rezultati përfundimtar i së cilës ishte 78-86.
Djemtë tanë kanë mundur ndoshta edhe ta fitonin këtë takim, pasi që impenjimi i madh nuk mungoi, mirëpo problemi i tyre qëndron te çereku i tretë dhe i katërt ku gjithmonë po e humbin përqendrimin. I njëjti fat po i përcjell pejanët që nga fillimi i këtij edicioni, pasi që njëjtë i kanë humbur ndeshjet edhe ndaj Sigal Prishtinës e KK Kozuv. /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Pejës | ||
1 | Frederick House | 17 pikë |
2 | George Oduwufa | 13 pikë |
3 | Vedran Morovic | 12 pikë |
4 | Samir Shaptahoviq | 10 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Levski Sofje | ||
1 | D. Angelov | 20 pikë |
2 | N. Varbanov | 19 pikë |
3 | D. Micic | 18pikë |
4 | H. Zahariev | 10 pikë |