Luftimi i tregtisë së jashtëligjshme po konsiderohet i nevojshëm për të pasur një stabilitet ekonomik dhe politik në Kosovë.
Në mënyrë që kjo të arrihet u kërkua një qasje më gjithëpërfshirëse të gjitha institucioneve.
Kështu u tha në konferencën që është organizuar gjatë ditës së sotme në lidhje me strategjinë kombëtare për tregtinë e jashtëligjshme në Kosovë që u organizua nga Instituti Ndërkombëtar i Sirakuzas.
Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar të Sirakuzas, Filippo Musca tha se me anë të këtij projekti po synojnë që të luftojnë tregtinë joligjore në rajonin dhe BE, ndërsa kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet tyre.
“Ky projekt është për rritje te kapaciteteve për të dhënë propozime inovative se si të qasemi tregtisë joligjore. Ky projekt është i vetmi që synon shtetet e BE-së dhe ato që synojnë të jenë pjesë e BE-së”, tha ai.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, duke folur për tregtinë e jashtëligjshme tha se është e rëndësishme për t’i luftuar këto dukuri në mënyrë që të ketë një ekonomi të shëndoshë.
“Rëndësia e gjithë këtyre projekteve është e dukshme duke marrë parasysh fushën e zbatimit, krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Për këtë arsye është e nevojshme për Kosovë konsolidimi i institucioneve ligjore”, tha ai.
Ndërkaq, këshilltari në Ministrinë e Drejtësisë, Afrim Kasolli tregoi për angazhimet që si ministri kanë bërë për të luftuar këto dukuri negative.
“Veprime të tilla cungojnë angazhimet demokratike të Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar për të luftuar këtë dukuri negative”, deklaroi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se rregullimi dhe kontrolli i tregut prek gjitha shtresat dhe instancat. Sipas tij, për luftuar këtë dukuri duhet një qasje gjithëpërfshirëse. Kurse, këshilltari tjetër në Ministrinë e Brendshme, Fatos Rushiti theksoi se luftimi i këtyre dukurive do të sjell më shumë stabilitet ekonomik dhe politik.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Kolonel Faheredin Verbovci kërkoi bashkëpunim më të madh për zvogëlimin e tregtisë së jashtëligjshme./KP/