Site icon Telegrafi

Luftimi i krimit të rëndë në Ballkan, menaxheri italian takon Sveçlen dhe drejtorin e policisë

Menaxheri italian i Projektit për nismën “Luftimi i Krimit të Rëndë në Ballkanin Perëndimor-IPA 2019”, Carlo Verdiglione nga Ministria e Punëve të Brendshme të Italisë, u takua dje në Prishtinë me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Në takimet miqësore dhe të frytshme, Verdiglione njoftoi homologët kosovarë për progresin në zbatimin e projektit. “Ky është një projekt rajonal nga i cili përfiton nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, tha Verdiglione, i cili është një Menaxher i Lartë në Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme Italiane, thuhet në njoftimin për media.

“Projekti mbështet forcat e policisë së Kosovës në kryerjen e aktiviteteve operacionale që synojnë luftimin e krimit të organizuar. Gjithashtu, ky projekt promovon pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat e bashkëpunimit të BE-së, siç është Platforma Evropiane Multifunksionale Kundër Kërcënimit Kriminal”, u shpreh ai.

Verdiglione theksoi se qasja e projektit është të mbështesë përfituesit dhe t’i ndihmojë ata të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, nënvizoi rëndësinë e projektit IPA duke theksuar se “projekti gjithashtu konfirmon angazhimin Italian për forcimin e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit, duke promovuar kështu rrugën e Vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Italia mbetet një partner kryesor i Kosovës në këtë fushë dhe ne shpresojmë në zbatimin e këtij projekti. ”

Financuar nga Komisioni Evropian, Italia dhe Gjermania në kuadër të programit Instrumenti i Para-Anëtarësimit IPA 2019, programi “Luftimi i Krimit të Rëndë në Ballkanin Perëndimor” do të investojë rreth 18 milion Euro deri në vitin 2023 dhe përqendrohet në shtyllat e mëposhtme: 1) hetimi; 2) pjesëmarrja dhe kontributi në BE, si dhe strukturat dhe vlerësimet e bashkëpunimit ndër-rajonal; 3) shkëmbimi i informacionit. /Telegrafi/

Exit mobile version