Presioni diplomatik po rritet për t’iu dhënë fund luftimeve në Sudan, të cilat kanë lënë më shumë se 300 të vdekur javën e fundit.
Ushtria e rregullt, ka luftuar me një forcë paraushtarake të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), transmeton Telegrafi.
OKB, SHBA-ja dhe vende të tjera kanë bërë presion për një armëpushim tre-ditor për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit.
RSF thotë se ka rënë dakord për një armëpushim 72-orësh për arsye humanitare. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria.
Armëpushimi do të jetë në fuqi nga ora 06:00 të premten për të përkuar me festën, tha RSF.
Dy tentativa të mëparshme të armëpushimit nuk arritën të hynin në fuqi.
Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, hodhi poshtë më herët mundësinë e negociatave me RSF-n.
Shpresa e fundit për një armëpushim të përkohshëm erdhi pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim për të lejuar civilët të arrijnë të sigurt.
Armëpushimi i Bajramit “duhet të jetë hapi i parë në sigurimin e pushimit nga luftimet dhe hapjen e rrugës për një armëpushim të përhershëm”, tha Guterres.
“Ky armëpushim është absolutisht vendimtar në këtë moment”, shtoi ai.
OKB-ja ka paralajmëruar se midis 10,000 dhe 20,000 njerëz – kryesisht gra dhe fëmijë – kanë ikur nga Sudani mes luftimeve të ashpra atje, për të kërkuar siguri në Çadin fqinj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjithashtu u bëri thirrje udhëheqësve ushtarakë ndërluftues veçmas që të bashkohen me një armëpushim të paktën deri të dielën.
Blinken “shprehte shqetësimin e madh të SHBA-së për rrezikun ndaj civilëve, personelit humanitar dhe diplomatik, duke përfshirë personelin amerikan” nga luftimet, tha Departamenti i Shtetit./Telegrafi/