Për shkak të vazhdimit të luftimeve në gjithë Sirinë, numri i fëmijëve që jetojnë nën rrethim ka arritur në afro 500 mijë, ka njoftuar Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Zyrtarë të lartë të kësaj agjencie thanë sot se këta fëmijë jetojnë në 16 territore të rrethuara në gjithë Sirinë dhe “janë pothuajse tërërisht të izoluar nga ndihma humanitare dhe shërbimet themelore”.
“Për katër milionë njerëz në Siri, jeta është shndërruar në ankth të pafund, e veçanërisht për qindra mijëra fëmijë që jetojnë nën rrethim”, tha nëpërmjet një kumtese, drejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Anthony Lake.
“Fëmijët vriten dhe plagosen, janë të frikësuar për të shkuar në shkollë apo edhe për të luajtur, dhe mbijetojnë me pak ushqim dhe pothuajse pa ilaçe mjekësore”.
UNICEF-i thotë se disa komunitete kanë marrë “pak ose aspak ndihmë në afro dy vite” dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të lejojnë qasje të ndihmave humanitare në të gjitha hapësirat në këtë vend.