Telegrafi

Lufti Haziri: Rezultati i tanishëm ia jep mandatin Albin Kurtit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka thënë se rezultati i tanishëm i zgjedhjeve parlamentare ia jep mandatin Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

Kështu ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se nuk do të nisin negociatat për qeverinë e re përderisa nuk përfundon numërimi i të gjitha votave.

“Rezultati është shumë i ngushtë dhe ne jemi duke e pritur numërimin e të gjitha votave, përfshirë votat me kusht, votat e diasporës dhe votat për deputetët, pastaj fillon procesi i negociatave. Dallimi është i vogël, një deputet, por që ia jep mandatin (për formimin e qeverisë) liderit të Vetëvendosjes”, ka thënë Haziri.

Bazuar në rezultatin aktual, preliminar, Vetëvendosje dhe LDK do të marrin së bashku 61 ulëse në Kuvend, sa është minimumi i votave për formimin e qeverisë.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend.

Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.