I dërguari amerikan që po koordinon ofensivën në Mosul thotë se luftëtarët e ISIS-it në këtë qytet do të vdesin që të gjithë.
“Shteti Islamik është bllokuar. Ata nuk do të dalin gjallë prej andej. Ushtria irakiane e ka rrethuar të gjithë Mosulin dhe ka tani nën kontroll edhe rrugën e fundit në dalje të tij. Me mbështetjen e SHBA-së, trupat e Bagdadit po hyjnë më në thellësi të qytetit të dytë më të madh të vendit për të marrë pozicionet që ende janë në duart e ekstremistëve”, deklaroi Brett McGurk.
Gjeneral Majori irakian Maan al-Saadi i tha agjencisë franceze të lajmeve se “rreth më shumë se një e treta” e Mosulit perëndimor është nën kontrollin e njësive irakiane.
Që kur filloi ofensiva e qeverisë në pjesën perëndimore të qytetit më 19 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe komandantët irakianë kanë ndeshur një rezistencë të ashpër të Shtetit Islamik, ndërsa ky grup ekstremist përpiqet të mbajë nën kontroll zonën më të fundit të rëndësishme urbane në vendin e shkatërruar nga lufta. /tch/