Telegrafi

“Luftë” sekretarësh në Ministrinë e Infrastukturës, Abdullahu nuk ia lëshon zyrën Bytyqit, ky i fundit e quan “uzurpator”

Pak ditë para se ta lëshoj “kolltukun” e ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka shkarkuar sekretarin e këtij dikasteri qeveritar, Izedin Bytyqin dhe në vend të tij ka emëruar të hënën, Zymer Abdullahun.

Por, një ditë pas këtij emërimi, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka anuluar vendimin e Abrashit për shkarkimin e sekretarit Bytyqi dhe njëkohësisht edhe emërimin e sekretarit të ri, Abdullahut.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme e rikthen në pozitën e tij, Izedin Bytyqin, por, sipas burimeve të portalit “Front Online” sekretari i përzgjedhur nga ministri Abrashi ka refuzuar t’ia lëshoj zyrën Bytyqit.

Madje ky i fundit ka dërguar një e-mail, të cilin e posedon Front Online, ku kërkon anulimin e gjitha vendimeve dhe akteve të nënshkruara nga Abdullahu, të cilin madje e quan uzurpator.

“Pas vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme, njëkohësisht kryesues i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, me numër 0045 të datës 02.03.2021, me të cilin bënë anulimin e detyrueshëm të Aktit Administrativ të Paligjshëm për lirimin tim nga detyra, ju njoftoj se anulohen të gjitha aktet dhe vendimet dhe çfarëdo veprimi tjetër të nxjerra nga uzurpatori i paligjshëm i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm. Obligohet Departamenti Ligjor që me prioritet të përgatit aktin për anulim të cilin do ta nënshkruaj unë”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Bytyqi.

Ndryshe, sekretari i përzgjedhur nga ministri Arban Abrashi, Zymer Abdullahu, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë me ish-sekretarin Betim Reçica ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur aktakuzë për keqpërdorime.