“Bota është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e çdo njeriu, por jo për të kënaqur babëzinë e tij”. Kjo thënie e Gandit është më e vërtetë se kurrë në këto kohë të turbullta të globalizimit.
Fatkeqësisht, edhe Shqipëria po përjeton një polarizim social të tejskajshëm dhe pabarazi ekonomike të frikshme mes të pasurve dhe varfërve. Të varfrit po varfërohen më shumë, ndërsa të pasurit po pasurohen më shumë. Klasa e mesme – shtylla kurrizore e ekonomisë dhe fibra e shoqërisë – është tkurrur dhe po precipiton në “rënie të lirë” drejt shtresës së varfër.
Në vitet e fundit, lufta kundër varfërisë po përkthehet në praktikë “luftë kundër të varfërve”. Sot, “armiqtë publikë” që kanë mbushur burgjet, janë pikërisht shitësit ambulantë të tezgave të rrugës, kryefamiljarët që nuk sigurojnë dot bukën e gojës për familjet e tyre, por që kanë kryer krimin “monstruoz” të mospagimit të faturave të dritave dhe ujit, apo protestuesit që mbrojnë shtëpitë e tyre të ndërtuar me aq mund e djersë. Tingëllon cinike, por e vërteta është se ne taksapaguesit paguajmë më shtrenjtë për qindra të varfër brenda hekurave sesa për asistencën e tyre sociale apo ndihmën ekonomike.
Po bëhemi një shoqëri depresive që po qeveriset me masa represive, pothuajse në kushte eksperimenti të ngjashëm me “terapinë e shokut”, të aplikuar në regjimet diktatoriale të Amerikës Latine. Një pseudoelitë shumë e vogël kontrollon gjithçka në ekonomi, e shpërfaqur përmes një stili jetese vanitoze të “konsumerizmit të shfrenuar”. Paradoksi është që ata blejnë gjërat që nuk u nevojiten, me paratë që shpesh nuk i kanë të tyret (me kredi nga bankat), për të impresionuar njerëzit e thjeshtë që nuk ua ndjen për ta…
Nga ana tjetër, qeveria vazhdon luftën (pasi ka humbur disa beteja) me “armikun” e saj të përbetuar, informalitetin. Ironikisht, të gjitha këto fushatat antiinformalitet tingëllojnë si ai filmi që ti e ke parë disa herë dhe çuditesh pse gjithmonë ka të njëjtin fund?! Ajo që qeveria nuk kupton është fakti se varfëria pjell informalitetin dhe jo e kundërta. Informaliteti nuk është “bisha që duhet vrarë”, por “kafsha që duhet zbutur”. Informaliteti nuk është “kanceri” që duhet hequr menjëherë nga organizmi, por “sëmundja” që duhet kuruar gradualisht. Është më së paku hipokrizi të vihet shenja e barazimit mes informalitetit të mijëra qytetarëve të pafuqishëm ekonomisht që mezi mbajnë frymën gjallë në aktivitetin e tyre ambulant, evazionit galopant të disa kompanive të mëdha, si dhe aktivitetit ekonomik të paligjshëm apo kriminal.
Të tria këto janë forma të spektrumit të informalitetit, por duhet prioritarizim në trajtimin e tyre. Pse duhet të kemi mësymje të qindra inspektorëve tatimorë drejt bizneseve të vogla për të “nxjerrë dhjamë nga pleshti”, në një kohë që do të mjaftonin vetëm dhjetëra prej tyre për të kontrolluar evazionin “obez” te korporatat e mëdha? Paradoksalisht, “viktimat” e luftës kundër informalitetit janë gjithmonë bizneset e vogla pa kupon tatimor, ndërsa paratë “informale” të aktiviteteve të paligjshme apo kriminale po “formalizohen” (edhe me kupon tatimor) në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, siç është ai i ndërtimit. Me sa duket, qeveria kërkon të na bindë se “peshku qelbet nga bishti, jo nga koka”.
Informaliteti është një fenomen që ekziston edhe në ekonomitë më të zhvilluara sepse çdo ekonomi reale ka pjesën e saj formale dhe informale. Absolutisht që informaliteti duhet reduktuar, por prioritet duhet të jetë lufta kundër evazionit dhe burimeve financiare nga aktivitetet e paligjshme dhe kriminale, të cilat për fatin tonë të keq po dominojnë ekonominë vitet e fundit. Informaliteti nuk luftohet me aksione represive apo fushata sezonale, por me mekanizma incentivuese. Për shkak të barrës së lartë fiskale, sot të kushton më shumë të jesh “formal” sesa “informal” në Shqipëri. Prandaj, nëse kërkojmë të jemi të suksesshëm dhe të kemi rezultate të qëndrueshme në përpjekjen për uljen e informalitetit, hapi i parë duhet të jetë ulja e taksave dhe tatimeve dhe për rrjedhojë zgjerimi i bazës së tatimpaguesve. Pra, të gjithë të paguajnë më pak taksa dhe tatime, ashtu sikurse dhe shteti mbledh më shumë të ardhura në arkën e tij.
Varfëria, përpara se të jetë çështje fati, mungesë aftësish apo karakteri, është thelbësisht mungesa e parave për të mbijetuar. Janë më dhjetëra raporte ndërkombëtare që e klasifikojnë Shqipërinë si një nga vendet më të varfra në Evropë. Por, më shumë se raportet dhe statistikat, kjo është e dukshme dhe e prekshme nga shumica e familjeve shqiptare. Gjithmonë është problematike nëse çështjen e varfërisë e reduktojmë në shifra statistikore sepse edhe nëse vetë Banka Botërore në raportet e fundit citon se rreth 33 për qind e popullsisë shqiptare jeton në varfëri të moderuar, pra, me më pak se 5 dollarë në ditë për person, ku klasifikohet një qytetar që jeton pak sipër këtij pragu, me 5.1 dollarë apo qoftë gjashtë dollarë në ditë, në shtresën e mesme?! Por, më shqetësuese se “varfëria e moderuar” është “varfëria absolute” e njerëzve që jetojnë më pak se 1.9 dollarë në ditë.
Në Shqipëri, zyrtarisht kjo shifër shkon në rreth shtatë për qind të popullsisë, pra, jo pak, por rreth 200 mijë shqiptarë. Çfarë u ofrojmë këtyre njerëzve për të mbajtur frymën gjallë për veten dhe familjet e tyre? “Dora e ngrohtë” e qeverisë hoqi nga skema e Ndihmës Ekonomike dhjetëra mijëra familje me justifikimin se ishin raste abuzive. Ndërkohë, edhe familjet që mbeten në skemë, marrin një lëmoshë që varion nga 35 mijë në 80 mijë lekë të vjetër, “të holla” të cilat nuk u mjaftojnë vetëm për ilaçe, jo më për ushqime apo pagesat e dritave dhe ujit. Prandaj, kemi nevojë për një qasje transformuese për të luftuar varfërinë absolute, përmes një skeme të re, të quajtur “Të ardhurat Bazike të Garantuara”.
Skema do të mund të kushtëzohej për një periudhë dyvjeçare, sipas modelit “workfare”, ku anëtarët e familjeve në skemë duhet të ndjekin arsimin, kurset dhe kualifikimet profesionale në mënyrë që të kenë shanse për të hyrë në tregun e punës dhe të dalin nga “gracka e varfërisë absolute”. Praktikisht, do të mjaftonte financimi me vetëm një për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) nga buxheti i shtetit, ose 146 milionë dollarë (2 dollarë x 365 ditë x 200, 000 persona) në vit për skemën e Ndihmës Ekonomike për 200 mijë qytetarë, për të kapërcyer pragun e varfërisë absolute. Pra, mjafton më pak sesa vlera e një koncesioni rruge për të nxjerrë nga varfëria ekstreme 200 mijë shqiptarë. Varfëria është “taksa” më e lartë që paguan një shoqëri sepse ajo është pengesa më e madhe e zhvillimit. Nëse nuk e kuptojmë këtë, shumë shpejt do të vijë dita që “sfurqet dhe hunjtë” do të mbahen në duar dhe lufta kundër varfërisë do të jetë “lufta e të varfërve”.