Site icon Telegrafi

Luftë evazionit fiskal

Gjermania, Franca dhe Italia kanë filluar një fushatë për të shtrënguar rregullat tatimore në Bashkimin Europian.

Ky aksion merr mbështetje nga zhvillimet më të fundit në Luksemburg dhe shton presionin mbi presidentin e ri të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që gjithashtu ka qenë ministër i financave dhe kryeministër i Luksemburgut.

Tre vendet kanë bërë thirrje për hartimin e një ligji për të gjithë Bashkimin Europian, deri në fund të vitit të ardhshëm, që synon të mbyllë hapësirat ligjore që janë përdorur nga kompanitë ndërkombëtare për të shmangur taksat.

Në një fjali kyçe, Berlini, Parisi dhe Roma kërkojnë “kushte dhe rregulla të rrepta” për vendimet e njëanshme të taksave, një teknikë e përdorur gjerësisht në Luksemburg, ku zyrtarët në mënyrë të përsëritur kanë nënshkruar marrëveshje tatimore me kompanitë shumëkombëshe si Amazon, Fiat dhe shumë të tjera.

“Mungesa e harmonizimit të taksave në Bashkimin Europian është një nga shkaqet kryesore që ka çuar në këto praktika të tilla”, shprehen tre ministrat e financave, gjermani Wolfgang Schäuble, francezi Michel Sapin, dhe italiani Pier Carlo Padoan, në një letër drejtuar komisionerit europian për ekonominë, financat dhe tatimet, Pierre Moscovici.

“Kjo situatë mund të çojë në një atmosferë jo-bashkëpunuese mes vendeve anëtare, që ndikon drejtpërsëdrejti në funksionimin e tregut të brendshëm dhe në përfitimet e parashikuara në traktatet”, përfundojnë ministrat. /Telegrafi/

Exit mobile version