Luftanija amerikane USS Zumwalt, në shikim të parë duket si anijet që jemi mësuar t’i shohim në filmat fantastiko-shkencor. Të paktën kështu e përshkruan atë edhe Harry Harris, komandant i flotës amerikane në Paqësor, duke thënë se kjo është luftanija më e sofistikuar që kushton të paktën 4.4 miliardë dollarë, shkruan Batlimore Sun.
“Për sa kohë që presidenti ynë dhe populli amerikan kanë kujdes për sigurinë, edhe unë kam kujdes për njerëzit që i ofrojnë siguri popullit tonë”, ka deklaruar Harris gjatë ceremonisë inauguruese të anijes, transmeton Telegrafi.
Kjo luftanije është e gjatë 186 metra, derisa pjesët e mprehta të dizajnit reduktojnë dukshmërinë e saj në radar. Ajo në radar duket si çdo objekt tjetër i vogël.
Duke marrë parasysh se është shumë më pak i zhurmshëm gjatë punës se anijet tjera, Zumwalt vështirë zbulohet, vështirë përcillet e aq më pak sulmohet. Në kuvertën e kabinës janë të instaluar radarë dhe sensorë të ndryshëm të fjalës së fundit të teknologjisë. Sistemi i fuqishëm i mundëson të lansojë 600 raketa mbi objektivat që janë të vendosur në një largësi më shumë se 100 kilometra.
Teknologjia e avancuar e kësaj anije që peshon më shumë se 15 mijë tonelata, mundëson një gamë të gjerë të misioneve sulmuese dhe mbrojtëse.
Kapiteni James Kirk, komandant në anijen Zumwalt, thotë se ajo gjeneron 78 megavat energji, “të mjaftueshme për të furnizuar një qytet të tërë”. Falë motorit Pax Proctor Vim, fuqia motorike i mundëson kësaj anije edhe testimin dhe përdorimin e armëve laserike.
Zumwalt do të jetë në gjendje të lansojë raketat Tomahawk, raketat standarde tokë-ajër, si dhe raketat nënujore (lundruese) nga topi me 80 gypa. Pjesa e jashtme e trupit të anijes ka një lëvore të veçantë, që i mundëson shkurtimin e valëve në mënyrë që gjatë lundrimit të jetë shumë pak e zhurmshme, transmeton Telegrafi.
“Nuk keni pse të frikoheni që kafja në filxhan nuk do të derdhet derisa lundroni përmes valëve të mëdha, siç ndodh në disa anije tjera”, thotë oficeri Neit Ches.
Nga kabina komanduese, shikueshmëria prej 180 shkallë është e mundur falë dritareve speciale, karrigeve lëvizëse, por edhe monitorëve që vëzhgojnë çdo gjë përreth.
Me 147 oficerë dhe ushtarë, ekuipazhi i Zumwaltit është më i vogëli në numër – për dallim nga çfarëdo luftanije tjetër që nga viti 1930 – dhe e gjithë kjo arrihet falë sistemit të avancuar. Të gjithë ushtarët janë të trajnuar për pozicione dhe misione të ndryshme. Ata kanë kabina në vend të shtretërve me sfungjer, në të cilën flenë nga 10 persona në një kabinë.
“Në rast të ndonjë sulmi të mundshëm, ata zgjohen falë dy alarmeve tejet të fuqishëm, e jo nga 50 siç praktikohet në anijet tjera”, thotë Kirk.
Me gjatësinë prej 186 metra, peshën prej 15 mijë tonelatave dhe fuqinë motorike prej 78 megavat, Zumwalt është një prej luftanijeve më të fuqishme.
Kjo anije mban emrin e admiralit të ndjerë Elm Bad Zumwalt, fitues i yllit të bronzit gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe komandant i anijeve të vogla që patrullonin gjatë luftës në Vietnam. Ai ishte bërë komandanti më i ri i operacioneve detare, dhe gëzonte reputacionin e një reformatori që luftoi kundër racizmit dhe seksizmit. /Telegrafi/