Zjarri në zonën e malit të Sopotit në Dropull vijon të jetë aktiv, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri.
Janë dy avionë të forcave greke të emergjencës që janë angazhuar për shuarjen e zjarrit. Zjarri gjendet rreth 500 m në vijë ajrore nga fshati Pecë dhe 1,5 km nga fshati Muzinë i bashkisë së Finiqit.
Zjarri i ndihmuar dhe nga era mori përmasa të menjëhershme duke rrezikuar fshatrat Derviçan, Frashtan dhe Grapsh gjatë mbrëmjes së djeshme.
Në zonë ndërhynë mjete zjarrfikëse nga bashkitë Libohovë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Sarandë, Finiq dhe Forcat e Armatosura.
Me ndërhyrjen nga ajri dhe toka përgjatë gjithë ditës së djeshme edhe deri sot është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve.
11 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, ndërsa tre janë aktualisht aktive.
Vijojnë gjithashtu të jenë aktive vatrat në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe dhe fshati Rehovë në Poliçan, ku me gjithë punën e forcave zjarrfikëse dhe bashkiake nuk u bë e mundur fikja e saj dhe sot ne orët e para te mëngjesit ka vazhduar operacioni me mbështetjen edhe të 50 efektivëve të FA. /tch/