Tregtia botërore dhe rritja ekonomike globale kanë paguar një çmim të lartë si pasojë e tensioneve tregtare, deklaroi së fundmi Tobias Adrian, këshilltar i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Më herët gjatë javës, FMN publikoi raportin Global të Stabilitetit Financiar, duke paralajmëruar për ndikimin negativ të tensioneve tregtare, si dhe duke parashikuar një dobësim të ndjeshëm të besimit të biznesit në nivel botëror dhe intensifikim të rreziqeve.
“Botërisht, këto tensione tregtare kanë rezultuar shumë të kushtueshme për tregtinë ndërkombëtare, por gjithashtu edhe për rritjen ekonomike. Në vlerësimet tona efekti i këtyre tensioneve tregtare përllogaritet në 0.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës”, thotë Adrian, raporton Scan.
Ndër të tjera ai shton se, këto rreziqe kanë detyruar shumë banka qendrore që të adoptojnë politika monetare lehtësuese për të nxitur rritjen dhe investitorët por nga ana tjetër duke rritur vulnerabilitetet. /Telegrafi/