Site icon Telegrafi

Lufta për lirinë nuk merr kurrë fund

Kush mendonte se me Rënien e Murit të Berlinit dhe të Perdes së Hekurt, koha e vijave të vdekjes dhe instalimeve të fortifikuara në kufij kishte mbaruar, gaboi shumë. Përkundrazi: 30 vjet më pas në të gjithë botën po kthehen muret. Jo vetëm në kufijtë midis SHBA-së dhe Meksikës, Izraelit dhe Palestinës, midis dy Koreve – por edhe brenda Bashkimit Evropian po ngrihen me ngut gardhe dhe po rivendosen kontrolle kufitare. Ndaj përkujtimi i asaj dite në Gjermani është edhe më i gëzueshëm e i bukur.

Të përkrahur nga Glasnosti dhe Perestroika, të forcuar nga guximi i polakëve dhe hungarezëve, gjermanolindorët në një revolucion të vërtetë paqësor arritën të shkatërronin murin që ndante vendin në Lindje dhe Perëndim. Pa as edhe një plumb. Asnjë person i vetëm nuk u dëmtua në këto ditë dhe orë të para dramatike më 9 nëntor 1989. Vetëm falë paradhënies së madhe e mirëbesimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, kryesuar nga SHBA-ja dhe mbështetur nga Bashkimi Sovjetik i Gorbaçovit – pas hezitimit fillestar më pas nga Franca dhe Britania – brenda vetëm njëmbëdhjetë muajsh u bë e mundur të bashkohej vendi mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Kjo hodhi themelet për krijimin e Gjermanisë si një shtet i mirëqenies dhe për ndërtimin e një infrastrukture të përbashkët, dhe shumë të tjerave që nevojiten për t’i kthyer dy pjesë shumë të ndryshme në një shtet funksionues.

Nuk është çudi që në këtë 30-vjetor bota po shikon edhe një herë Gjermaninë. Ndoshta edhe për të dhënë pak shpresë në këto kohë, të cilat karakterizohen nga ndjenjat e kërcënimit dhe pasigurisë, shpërbërja e strukturave të njohura.

Dhe, në fakt, në Gjermani shumë pak ndjehet gëzimi apo krenaria për arritjet. Përkundrazi, lufta e vendit me veten po e çon në konflikte politike, që shqetësojnë tërë strukturën politike të 30 viteve të fundit. Sidomos në landet e Gjermanisë Lindore është forcuar një parti me populiste e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, e cila vë në dyshim themelet e Gjermanisë së bashkuar. Kjo shkon nga roli i Evropës tek politika e imigracionit dhe mbizotërohet nga një imazh nacionalist, racist dhe nacionalist për botën dhe njerëzimin. Ish -partitë popullore po e humbasin rëndësinë, formacionet qeveritare po bëhen gjithnjë e më të vështira, parashikueshmëria dhe mirëbesimi aq i çmuar- të paktën për momentin – duken se po marrin fund.

Tani, forcimi i populistëve të krahut të djathtë nuk është aspak një fenomen i kufizuar në Gjermani. E megjithatë këtu ka arsye të veçanta që kanë të bëjnë me ndarjen e vendit. Edhe sot e kësaj dite nuk njihen siç duhet arritjet jetësore të shumë gjermanolindorëve, të cilët me guxim në fillim sollën fundin e RDGJ-së, por më pas u përballën me pasojat e tij dhe me integrimin në Gjermaninë e bashkuar. Ky injorim tani po hakmerret.

Nisur nga pasiguria e përgjithshme dhe sfidat e mëdha të botës së globalizuar, në përvjetorin e 30-të të Rënies së Murit, Gjermania duhet të përfshihet në një debat shumë thelbësor me vetveten:

Çfarë vendi do të dëshironte të ishte Gjermania?

Një vend ku hebrenjtë të kenë frikë kur mblidhen në sinagogë për t’u lutur?

Një vend, në të cilin politikanët që e pozicionojnë qartë veten kundër ideve të djathta nacionaliste dhe politikave përjashtuese të kenë frikë për jetën e tyre?

A dëshiron Gjermania të jetë një vend në të cilin përkatësia kombëtare dallohet nga ngjyra e lëkurës ose prejardhja?

Nën peshën e këtyre pyetjeve qenësore nuk do të ketë ndonjë gëzim të shfrenuar dhe të tepruar në këtë përvjetor.

Sidoqoftë, për atdheun tim, uroj që kjo ditë përkujtimi të na japë kurajë. Uroj që në këto ditë përkujtimi solemne t’i shtrojmë pyetjen vetes se si e parafytyrojmë vendin tonë në mesin e këtij shekulli. Të guximshëm, jo të dëshpëruar. Dhe të ankoruar fort në kushtetutën tonë. Në dijen se shumë nga ato që janë fiksuar atje si të patundshme, tani po vihen në dyshim. Këto ditë ne festojmë guximin e së kaluarës. Shpresoj se kjo do të na sjellë më shumë fuqi të fitojmë luftën për një të ardhme të mirë në liri dhe drejtësi. /DW/

Exit mobile version