Site icon Telegrafi

Lufta për Kosovën

(12 vjetori intervenimit te NATO-s)

"Nëse qeverive perëndimore iu mungon vullneti politik dhe ushtarak për të gjetur një strategji të vendosjes së statusit të autonomisë, atëherë do të ishte mirë të këshillonim që menjëherë të fillojnë negociatat për pavarësinë e Kosovës. Pa dyshim, Kosova do të pavarësohet. Për këtë unë jam i sigurt" – David Oven (Die Welt, 29. 03. 1999)

Dymbëdhjetë vjet pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur (Serbi dhe Mali i Zi), po të shikosh në retrospektivë zhvillimet për dhe rreth Kosovës, të sforcohet bindja se ajo që ndodhi asokohe, domethënë ndërhyrja ajrore ushtarake e Perëndimit, ishte tepër e domosdoshme për ta ndëshkuar krimin e shtetit serb, ndërsa duket se sa e kotë ishte përpjekja e atyre që këtë ndërhyrje e shihnin si gabim dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare në kohën kur sovraniteti shtetëror nuk mund të përdorej si strehë për ta justifikuar një politikë dhe ideologji hegjemoniste. Politikës së jashtme të bazuar në “interesa të ngushta” i kishte dalë moda, thotë ish-kryeministri britanik Tony Blair në memoarin e tij “A Yourney: My Political Life”(Një udhëtim: Jeta ime politike). “Aleancat globale duhet të jenë të bazuara në vlera të përbashkëta botërore,” thekson Balir, duke arsyetuar qëndrimin e tij ngulmues për bombardimin e Serbisë në vitin 1999.

Kur sheh qëndrimin e atëhershme të qendrave ndërkombëtare të vendosjes, sidomos rreth çështjes së statusit politik të Kosovës, e kuptojmë sa shumë ka ndryshuar në raport me Kosovën. Në Perëndim ka ndodhur ndryshimi i madh: në vend të konceptit vestfalian, bota ka pranuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shtetësi, gjë që ishte edhe gjeneza e problemit të Kosovës. Mund të ketë mendime të ndryshme, por një gjë nuk mund të mohohet, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas intervenimi ushtarak i SHBA-së dhe i BE-së rezultuan me lirinë e një populli të tërë, që ishte okupuar që në kohën e luftërave ballkanike të viteve 1912/13. Dhe, për rastësi, ishte pikërisht Kumanova, aty ku në Luftën e Parë Ballkanike u vulos ekspansioni serb mbi trojet shqiptare, vendi në të cilin në qershor të vitit 1999 NATO-ja dhe Armata e Jugosllavisë së mbetur nënshkruan Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake, me të cilën përfundoi lufta dhe me të cilën parashihej tërheqja e trupave ushtarake dhe policore dhe i gjithë aparati represiv i shtetit okupues serb nga Kosova dhe dislokimi i forcave shumëkombëshe të KFOR-it.

Por çështja e statusit mbeti e hapur, ndërsa Serbia nuk hoqi dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste, për ta rikthyer Kosovën brenda sovranitetit të saj. Ndonëse çështja e statusit të Kosovës më 17 shkurt 2008 gjeti kornizimin e saj demokratik dhe konstitucional, me shpalljen e pavarësisë, në Serbi ende mbretëron fryma e mbjellë nga Milosheviqi, sepse pushteti aktual, opozita e dikurshme e tiranit serb, s´bën dot përpara, pasi çështjen e Kosovës e sheh me dioptrinë e vjetër serbomadhe.

Pavarësisht nga kjo, lufta e Kosovës ndryshoi politikën ndërkombëtare dhe shënoi një fillim të ri në planin ndërkombëtar, duke u bë model I intervenimit humanitar, të cilin tani po e shohim edhe në rastin e Libisë. Pra, rasti i Kosovës u bë model i ndërhyrjeve ushtarake ndërkombëtare.

Lufta e Kosovës në fund të shekullit XX dhe intervenimi i Perëndimit provoi se në periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, të drejtat e njeriut po fitonin përparësi në raport me sovranitetin shtetëror. Kjo luftë afirmoi doktrinën e ndërhyrjes humanitare, madje qoftë edhe pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Dhe, vërtet, rasti i vetëmandatimit për ta anashkaluar kërcënimin rus me veto në Këshillin e Sigurimit deri në rastin e Kosovës nuk ishte përsëritur.

Pikërisht ky intervenim i Aleancës Veriatlantike përbën shembullin e ndërgjegjësimit të shtuar global për përgjegjësi rajonale dhe një moment të ri në të drejtën ndërkombëtare. Pra, ndërhyrja e Perëndimit në luftën e Kosovës për t´i dhënë fund vrasjes së një populli dhe krimit më të rëndë kundër njerëzimit, shënon fillimin e një procesi të zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare, respektivisht ndihet nevoja evidentimit të një baraspeshe të re midis parimeve të së drejtësndërkombëtare, pra të sovranitetit shtetëror dhe të vlefshmërisë së të drejtave njerëzore.

Natyrisht, ky zhvillim i të drejtës ndërkombëtare, e cila deri me përfundimin e Luftës së Ftohtë vetëm shtetet i shihte si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, një koncept klasik i trashëguar nga vitit 1648 me Paqen e Vestfalisë, që krijoi bazat për rregullimin territorial dhe shtetëror të Evropës, vuloset me vendimin e NATO-s dhe të BE-së për intervenimin ushtarak në Kosovë, zhvillim ky që e ka plotësuar të drejtën e deritashme ndërkombëtare. Intervenimi në Kosovë dhe tragjeditë e mëdha humanitare në rajone të tjera të botës, raportet mes sovranitetit shtetëror, përgjegjësitë individuale para drejtësisë dhe obligimit ndërkombëtar për mbrojtjen e njerëzve nga terrori dhe dhuna, kanë ndryshuar në mënyrë dramatike.

Mirëpo, meqë në Kartën e OKB-së, “intervenimi humanitar” nuk është definuar në mënyrë të qartë, pasi aty nuk ka përgjigje për pyetjen se si duhet të veprohet, kur një shtet kryen “krime kundër njerëzimit” ndaj një populli brenda sovranitetit të vet të njohur dhe të pranuar, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër infrastrukturës represive të regjimit diktatorial dhe shovinist të Beogradit u shndërrua në një temë debati në qarqet politike dhe intelektuale ndërkombëtare, të cilat nga pikëvështrime të ndryshme e vlerësonin këtë intervenim ushtarak ajror.

Pyetja kryesore ka qenë dhe vazhdon të jetë kjo: A kishte të drejtë NATO-ja të ndërhynte ushtarakisht pa mandatin e Kombeve të Bashkuara në konfliktin etniko-politik brenda një shteti sovran, edhe pse qëllimi ishte humanitar dhe synonte t´i jepte fund spastrimit etnik. Pra, shtrohej pyetja se a ishte i përligjur ky veprim ushtarak edhe atëherë kur OKB, për shkak të mekanizmave të trashëguar nga e kaluara nuk ishte në gjendje ta pengonte shkeljen masovike të të drejtave të shqiptarëve, madje edhe atëherë kur po i kërcënohej deportimi në masë.

Për më tepër, ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës nuk ndodhi nga ndonjë interes gjeopolitik, por thjesht nga karakteri tërësisht humanitar. Në pyetje ishin parimet demokratike, të drejtat njerëzore, të cilave SHBA dhe BE i dhanë përparësi edhe në raport me sovranitetin shtetëror. Pikërisht, kjo e bëri të ligjshëm sulmin e NATO-s ndaj Jugosllavisë së mbetur, qoftë edhe pa mandatin e OKB-së.

Por, në luftën e Kosovës vërtet nuk bëhej fjalë vetëm për çështje të vlerave morale, porse edhe për çështje të sigurisë. Nëse demokracitë perëndimore do të dorëzoheshin, atëherë, ekzistonte rreziku që në Ballkan të krijohej një hartë plotësisht e re, duke u bazuar në ideologjinë e nacionalizmave të tjerë të mëdhenj. Dhe, ishte e qartë se çdo pacifizëm kundrejt Milosheviqit do të shpinte gjithnjë në varreza masive. Prandaj, për ta pamundësuar këtë, Perëndimi zgjodhi opsionin e ndërhyrjes.

“Për ta pamundësuar përsëritjen e tragjedive të këtilla në shekullin e ardhshëm, sipas mendimit tim, është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të arrijë një konsensus, jo vetëm për parimin thelbësor, se duhet të ndërmerren masa kundër shkeljeve masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut, pa marrë parasysh se ku ndodhin, por edhe mënyrën e marrjes së vendimeve për atë, se cilat masa janë të domosdoshme dhe se ku dhe kur do të zbatohen ato. Konflikti në Kosovë dhe pasojat e tij, nxitën një debat me domethënie globale”, shkroi Kofi Anan në artikullin autorial, të publikuar më 18 shtator 1999 në revistën ekonomike “The Economist”, me titull “Dy konceptet e sovranitetit”.

Por cili është justifikimi tjetër legal, jus ad bellum, për intervenimin ajror të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, në mars të vitit 1999. Udhëheqësit dhe ekspertët e NATO-s artikuluan në mënyrë shumë bindëse çështjen e intervenimit në luftën e Kosovës, duke iu referuar vetëmbrojtjes kolektive dhe sigurisë rajonale sipas neneve 51, 52 dhe 53 të Kartës së Kombeve të Bashkuara të OKB-së. Thënë ndryshe, vendet anëtare në NATO kishin parashikuar një riparaqitje të ngjarjeve që ishin parë vite më parë në Bosnjë e Hercegovinë. Disa vende anëtare të NATO-s vlerësuan se intervenimi ishte i arsyeshëm bazuar në motivet humanitare, duke përmendur planet e Milosheviqit për ta “pastruar etnikisht Kosovën”.

Ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, sipas shkrimtarit të njohur latino-amerikan Mario Vargas Losa, ishte e vonuar për dhjetë vjet, prandaj ajo lipsej qortuar jo për ndërhyrjen, por për vonesën e saj, e cila pati pasoja të rënda për Kosovën, ndodhën krimet më të rënda kundër njerëzimit. Kjo vonesë ia ndezi “dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik të Kosovës, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer gjatë këtij shekulli, i krahasuar për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri ose me depërtimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për ta rusifikuar Bashkimin Sovjetik”.

Teoria e përligjjes ligjore përkrah aksionin e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur edhe nëse ai nuk ishte në tërësi sipas kritereve të së drejtës ndërkombëtare, por megjithatë legjitim përkitazi me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Edhe në raportin e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën të botuar në tetor të vitit 2000 vihet në dy konkludime kryesore. Njëri ishte se intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës, përkatësisht kundër Jugosllavisë së mbetur nuk ishte legal, por ishte legjitim. Ishte jolegal, sepse u bë pa mandatin paraprak të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në njërën anë dhe ishte legjitim, sepse në Kosovë ndodhnin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, sepse të gjitha mundësitë diplomatike ishin të shterura, sepse Kosova u çlirua dhe të gjithë ata që ishin dëbuar nga forcat serbe ishin në gjendje të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre.

Publicisti i njohur gjerman Hans Magnus Enzesberger, duke shkruar për luftën e Kosovës theksonte se mes luftës që e bëjnë serbët dhe asaj që e bën NATO-ja në Kosovë ekziston një dekalazh prej 400 vjetësh. Cilido që dëshiron të krijojë një ide për plaçkitjen, masakrat dhe mizoritë e kryera nga ushtarët serbë s’ka nevojë ta shoh CCN-in, por t’i lexojë rrëfimet e luftës tridhjetëvjeçare (1618-1648).

(Autori është drejtor i Departamentit të Arkivit Shtetëror të Kosovës)

Exit mobile version