Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka folur edhe për ndikimin rus përmes mediave dhe rrjeteve të ndryshme sociale.
Kusari-Lila përmes një konference për media ku paraqiti punën e Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror ka thënë se Qeveria e Kosovës është vlerësuar si një prej qeverive më proaktive në rajon në raport me parandalimin e ndikimit rus.
Sipas saj, edhe Kuvendi i Kosovës duhet të ketë një rol të madh duke shfrytëzuar mekanizmat e saj.
“Sa i përket ndikimit rus, Qeveria e Kosovës është vlerësuar si një prej qeverive më proaktive në rajon në raport me parandalimin e ndikimit rus. Kuvendi definitivisht duhet të ketë rol më të madh dhe do të ketë. Gjithashtu përmes mekanizmave të cilat i përmendëm, mekanizmave në komisionit funksionale ku mbikëqyret puna e organeve rregullatorë dhe atyre që licencojnë në veçanti dhe në veçanti ato të mediave për shkak se është vërejtur se ndikimi dhe depërtimi më i madh i dezinformimit dhe tendencave ruse është bërë përmes mediumeve dhe rrjeteve të ndryshme që ata kanë shfrytëzuar”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila po ashtu tha se Kosova ka qenë një ndër shtetet e para që ndaloi funksionimin e emetimit të disa mediave që janë vlerësuar me propagandë ruse, menjëherë pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
“E dini që menjëherë pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka bërë ndalimin e funksionimit të emetimit të disa mediave që janë vlerësuar me propagandë ruse, por besoj që kurrë nuk është mjaft”, tha ajo duke shtuar se përderisa është aktive konflikti Rusi- Ukrainë, Kosova do të ketë përpjekje të vazhdueshme dhe të Rusisë por dhe të Serbisë për shpërqendrim në situata të ngjashme apo në situata të krijuara artificialisht në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/