Sektori i bujqësisë në Maqedoninë e Veriut tashmë po i ndien goditjet nga lufta në Ukrainë. Bujqit ankohen se lakra e bardhë, e cila vilet në sezonin e pranverës, u ka mbetur pa shituar, pasi më shumë se një e treta prodhimit të saj me vite është importuar në tregun e Ukrainës.
Ky treg për Maqedoninë e Veriut është i rëndësishëm edhe për eksportin e pjeshkave, mollëve, trangujve si dhe nektarinës.
Bllazho Vitanov, që punon në një kompani që importonte lakër në Ukrainë, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë anuluar të gjitha porositë për këtë prodhim bujqësor.
“Nuk e dimë se çka do të bëjmë, pasi produktet bujqësore duhet të plasohen në treg në kohë, në të kundërtën ato kalben. Shpresoj që situata të qetësohet atje dhe ne sa më shpejt të nisim prodhimet tona në këtë treg, por kjo duket shumë e vështirë”, thotë Vitanov.
“Tentojmë të depërtojmë dhe në tregun e vendeve evropiane, por kjo është shumë e vështirë për faktin se kërkohet standard më i lartë i paketimit, gjë që vështirë se mund t’u përshtatemi këtyre kërkesave brenda pak kohe”, shton ai.
Megjithëse tregjet e Ukrainës dhe ai Rusisë nuk paraqesin tregje të mëdha për pjesën më të madhe të prodhimeve bujqësore, por godasin vetëm rendimente të caktuara, problemi më i madh për bujqit mbetet sigurimi i lëndës së parë për plehrat artificiale që përdoren në bujqësi, e që kryesisht janë importuar nga Rusia.
Nga Asociacioni i Bujqve në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se çmimi i plehrave artificiale është rritur për 300 fish. Nëse gjatë vitit të kaluar një thes 50 kilogramësh me pleh artificial ka kushtuar 600 denarë (rreth 10 euro) tani i njëjti kushton 2,800 denarë (rreth 30 euro).
Petar Stojkoski nga Asociacioni i Bujqve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi nuk qëndron vetëm te rritja e çmimit, por ka mungesë të këtij produkti.
“Nëse nuk arrijmë të gjejmë pleh artificial për drithërat që tashmë kemi mbjellë, kjo do të reflektohet në korrjet. Alternativë e vetme mbetet që Ministria e Bujqësisë sa më shpejt të angazhohet në gjetjen e një zgjidhjeje me atë që tregjet, ai i Ukrainës dhe Rusisë prej ku jemi varur, t’i zëvendësojë me ato të Greqisë ose vendeve evropiane”, thotë Stojkoski.
Bujqit theksojnë se nëse gjatë vitit të kaluar çmimi i grurit ka qenë 10 deri në 12 denarë (19 centë) për kilogram. Por, me shtrenjtimin e çmimit të naftës dhe plehrave artificiale, kostoja e prodhimit për një kilogram grurë këtë vit do të jetë dyfish më e lartë, përkatësisht 20 deri 23 denarë (37 centë).
Ministria e Bujqësisë veçse ka bërë të ditur se ka ndarë 120 milionë denarë për prodhuesit e drithërave, mjete këto që janë të dedikuara për subvencionimin e plehrave artificiale, me qëllim që bujqit të kenë rendimente më rentabile në kushte të rritjes së çmimit të plehrave.
Por, Ramadan Vejseli, kryetar i mullisëve në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radio Evropa e Lirë se nëse ndihma e shtetit nuk vjen në kohë, pjesa më e madhe e bujqve do të heqin dorë nga plehërimi i hapësirave të mbjella me grurë, gjë që kjo do të ndikojë në prodhim.
“Gjoja se subvencionet bujqësia, por në praktikë shumë pak mjete arrijnë deri te bujku. [Shtrenjtimi i plehrave artificiale] sigurisht se do të ndikojë në rendimentet e grurit, pasi ai [bujku] nëse nuk e hedh sasinë e duhur të plehrave, rendimentet do të ulen për 50 për qind” thotë Vejseli.
Ndërkohë nga Federata Kombëtare e Fermerëve thonë se masat e Qeverisë në një nivel të caktuar do të arrijnë të amortizojnë goditjen që kanë marrë buqit nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, por shtojnë se shteti duhet patjetër të hartojë strategji dhe të parashohë krizat e kësaj natyre, në mënyrë që të reagojë me kohë dhe jo kur të paraqitet problemi të mundohet ta sanojë./REL/